Korçë, Gërmimet arkeologjike nxjerrin në pah një tubacion qeramike 500 vjeçar

Në fshatin Mborje në Korçë është bërë një zbulim i ri arkeologjik. Nga gërmimet rezulton një tubacion qeramike 500 vjeçar ku shërbente për furnizimin me ujë të pijshëm nga vargmalet e Moravës.
Sipas arkeologut, Florenc Cenolli, kemi të bëjmë me gjetjen rastësore të një tubacioni që mendohet se shërbente për furnizimin me ujë të pijshëm nga vargmalet e Moravës, për banorët e kalasë së Mborjes.
Cenolli thotë se ky lloj tubacioni nuk është hasur më parë në qarkun e Korçës, ndërsa një rast i ngjashëm ka qenë ai në afërsi të kalasë së Prizrenit në Kosovë.
Arkeologu bën me dije se kampionet e qeramikës të gjetura tek vendi i quajtur ylli, janë dërguar për studim në Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.
/rtsh/