E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debati për incidentin në Ersekë. Braçe: Autorët do të ndëshkohen

Tensionet e krijuara në fushën e Ersekës, në ndeshjen e luajtur mes Gramozit dhe Skënderbeut, janë krijuar nga një grup tifozësh, që me dashje ka cënuar imazhin, jo vetëm të skuadrës së Gramozit, por edhe të qytetit, duke sjellë ndërprerjen e ndeshjes. Kryetari i Bashkisë së Ersekës, Adriatik Brace, në emisionin “Skaner Kampionat”, ka garantuar se ndaj tyre do të meren masa, ndërsa ka sqaruar se incidenti filloi pas ofendimeve të kryera ndaj tifozerisë nga sulmuesi i Skënderbeut, Malindi.

“Malindi ka ofenduar publikun i cili ka reaguar ndaj gjestit të këtij lojtari. Gurët që u hodhën nuk ishin gurë ndaj arbitrit. Unë e dënoj veprimin e atyre 20 vetave të cilët hodhën gurë, pavarësisht se objekti nuk qe arbitri. Pjesën më të madhe të tyre e kemi evidentuar. Do t’i drejtohem organeve të policisë për procedim sipas rregullave dhe nëse do kemi ndeshje në fushën tonë këta tifoza nuk do të lejohen të hyjnë në fushën tonë” tha Brace.

Sipas asaj që bën të ditur zoti Brace, gjyqtari i ndeshjes Taullau mund ta kishte vazhduar lojën, të paktën për hir të asaj pjese të madhe të tifozerisë sportdashëse, që në këtë ndeshje arriti shifrën e 5000 të pranishëmve.

“Kryesori Taullau mund ta normalizonte gjendjen pa hyrë në dhomat e zhveshjes, pavarëisht nga goditja me gurë sepse të gjithë ata tifozë kërkonin dënimin me karton të kuq për gjestin e Malindit. Nëse ai do dënohej me karton të kuq unë jam i bindur se ajo ndeshje do vazhdonte” tha Brace.

Drejtuesit e klubit kolonjar dënojnë dhe distancohen kështu në mënyrë kategorike, nga ajo që ndodhi në stadiumin e Ersekës në fundjavë, por më e keqja është se pasojat do t'i vuajë skuadra.

Eno Skarço

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›