E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debati për median, Topalli, draft të fshehtë BE-së

Anëtarët e opozitës kanë akuzuar Topallin se ka depozituar një draft për radiot dhe televizionet pa dijeninë e tyre

TIRANË- Komisioni parlamentar për Median dhe Mjetet e Informimit Publik është gjendur dje në një situatë të paparashikuar. Të mbledhur për të diskutuar në lidhje me zbatimin e Planit të Veprimit për harmonizimin e kuadrit ligjor shqiptar për transmetimet audiovizive me atë të BE-së, ose thënë ndryshe për planin e veprimit për hartimin e një ligji të ri për radiot dhe televizionet, anëtarët e këtij komisioni kanë gjetur në tryezat e tyre një letër të kreut të zyrës së Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, nëpërmjet së cilës kanë mësuar për ekzistencën e një draft-ligji tjetër, për të cilin ata nuk kishin dijeni. Në këtë letër (dërguar më 18 shtator 2008) Lohan i jep përgjigje kryeparlamentares Jozefina Topalli mbi projektligjin “Për transmetimet audiovizive” që ajo i kishte dërguar më datën 5 shtator të 2008, duke konfirmuar në këtë mënyrë se ndërsa komisioni ka nisur punën për hartimin e një drafti të ri, mazhoranca ka paraqitur tek ndërkombëtarët një projekt tjetër alternativ, jashtë axhendës së përcaktuar nga vetë komisioni. Pikërisht ky fakt i zbuluar nëpërmjet kësaj letre, është bërë objekt debati mes përfaqësuesve të majtë dhe atyre të djathtë në komision. Sipas deputetëve opozitarë, ky përbën një rast të paprecedentë, pasi kryeparlamentarja Topalli ka anashkaluar vendimmarrjen e komisionit dhe ka mashtruar partnerët ndërkombëtarë për një projekt-ligj të padiskutuar më parë. “Ne në komision kemi diskutuar dhe kemi ngritur grupin e punës, i cili do të punojë për të përgatitur një projektligj të cilin ne do t’ia çonim Këshillit të Evropës dhe BE-së, pasi të miratohej më parë nga Komisioni i Medias. Kjo do të thotë që absolutisht Kryetarja e Kuvendit nuk mund t’i çojë këtyre institucioneve një draft që vjen jashtë komisioneve. Këtë draft ia ka çuar vetë kryetarja Topalli dhe unë informacionin e kam marrë nga kjo letër, pasi nuk e dija se ky draft i ishte çuar institucioneve ndërkombëtare”, - tha kryetarja e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Valentina Leskaj. Ndërkohë, akoma më i ashpër në qëndrimin e shprehur ka qenë deputeti socialist, Marko Bello, i cili ka akuzuar kryetaren Topalli se duke u përpjekur që të marrë flamurin e reformave ligjore në vend, në mënyrë të qëllimshme ka anashkaluar komisionin dhe ka futur në qorrsokak institucionet ndërkombëtare që, sipas planit të veprimit, duhet të japin mendime mbi projektin që do të paraqesë komisioni dhe jo mbi projektligje që mund të hartojnë individë të veçantë jashtë tij, qoftë kjo edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Por jo të gjithë anëtarët e komisionit nuk kishin dijeni për një projektligj të tillë, pasi deputeti i mazhorancës, Safet Sula ka sqaruar për komisionin se nuk bëhet fjalë për një projektligj anonim, por për një draft i cili ka qenë produkt i një pune të papërfunduar nga një grup ekspertësh që vetë Komisioni i Medias kishte ngritur gjatë 2007. Sula ka bërë të ditur se grupi i punës i ngritur në atë kohë, pavarësisht se nuk u mblodh asnjëherë, vetëm me anë të ekspertit të mazhorancës përgatiti një projektligj të cilin para shumë muajsh ia paraqiti edhe komisionit, pavarësisht se ky i fundit nuk e mori asnjëherë në konsideratë. “Plani i veprimit ka qenë që të përfundojë në pranverë të 2007 dhe ne atëherë kemi caktuar ekspertë të jashtëm. Eksperti i opozitës nuk është paraqitur asnjëherë në grupin e ekspertëve dhe eksperti ynë e ka punuar draftin me dijeninë e vet dhe e ka përfunduar, dhe është ai draft që ne na erdhi një herë në komision. Duke qenë se ai grup ekspertësh nuk funksionoi, drafti erdhi i paballafaquar me mendimin e opozitës”,- tha Sula, duke bërë përgjegjës për këtë gjë pikërisht Komisionin e Medias. Por as ky argument nuk ka bindur opozitën e cila nëpërmjet Kryetares së Komisionit, Valentina Leskaj, ka theksuar se për çfarëdolloj arsye nuk mund të justifikohet një veprim si ai i kryeparlamentares Topalli. “Ky nuk është argument për të çuar një ligj jashtë standardeve në institucionet ndërkombëtare”, - u shpreh Leskaj.

Përmes një materiali, grupi i ekspertëve ka përcaktuar pikat kyçe ku do të bazohej ligji i ri

Materiali, ja çfarë kishte arritur grupi i punës

TIRANË- Megjithëse ende në fazën e parë të zbatimit të Planit të Veprimit për harmonizimin e kuadrit ligjor shqiptar për transmetimet audiovizive me atë të BE-së, grupi i punës i ngritur nga Komisioni parlamentar i Medias ka përcaktuar ndryshimet që do të pësojë ligji ekzistues. Nëpërmjet një materiali përmbledhës, grupi i ekspertëve ka përcaktuar pikat kyçe ku kjo reformë ligjore duhet të përqendrohet, duke evidentuar si disa nga pikat kryesore, raportin mes operatorëve televizivë dhe interesit të publikut, garën e ndershme mes transmetuesve etj. Më konkretisht, në këtë material përcaktohet se ofruesit e shërbimeve zanore e pamore duhet të bëjnë të mundur për publikun lehtësisht, drejtpërdrejtë dhe në mënyrë të përhershme, të dhënat e tyre evidentuese, në mënyrë që të dallohet lehtësisht subjekti që ka përgjegjësinë editoriale. Gjithashtu, transmetuesit duhet të kenë të drejtë të transmetojnë imazhe të shkurtuara edhe nga ato veprimtari që paraqesin interes për publikun, të cilat transmetohen tërësisht nën të drejtat ekskluzive, për qëllim të informimit brenda edicioneve të lajmeve apo kronikave të tjera të kësaj natyre. Ndërkohë që, në të njëjtën kohë, ekspertët parashikojnë që tregtimi i produkteve radiotelevizive të jetë i ndaluar, duke bërë përjashtim vetëm për disa lloj programesh, si vepra kinematografike, filma, serialë, sport dhe programeve argëtuese. Nga ana tjetër, përcaktohet edhe një detyrim ndaj subjekteve televizivë, që për ato programe që dëmtojnë seriozisht zhvillimin e të miturve, të bëhen në atë mënyrë, që nuk i krijon mundësi fëmijëve t’i shohin, duke përdorur kryesisht Kode Hyrëse. Ndërkohë që përcaktohet për herë të parë që një reklamë nuk duhet të kalojë më shumë se 1 orë transmetim në ditë, ose 12 minuta në një orë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›