KE, Lohan: Kodi Zgjedhor, të përfundohet sa më shpejt
TIRANË- Reforma zgjedhore mbetet një nga çështjet kryesore mbi të cilën bazohet shqetësimi i vazhdueshëm i ndërkombëtarëve. Në kushtet kur mandati i Komisionit për Reformën Zgjedhore është drejt fundit, (30 shtator) dhe pak është arritur mbi çështjet më të rëndësishme, Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan i bën apel politikës shqiptare që të mos humbë më kohë, por të përfundojë punën për Kodin Zgjedhor, listat elektorale dhe kartat e identitetit. "Zgjedhjet e ardhshme, sikundër ju tashmë e dini, ka shumë mundësi që të mbahen në fund të qershorit 2009, ndaj është shumë e rëndësishme që të gjitha përgatitjet të përfundojnë shumë më përpara se data e zgjedhjeve. Për këtë arsye, problemi i përfundimit të Kodit të ri, prodhimit të kartave të identitetit, si dhe çështja e përbërjes së KQZ-së duhet të jenë zgjidhur në një të ardhme të afërt",- tha ambasadori Lohan. Ai ka kërkuar që të gjendet konsensusi sa i përket Kodit të ri Zgjedhor, në mënyrë që të nisin përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të 2009-ës. Këtë deklaratë, ambasadori Lohan e bëri pas prezantimit të dy projekteve për përmirësimin e lëvizjes së lirë të mallrave mes Shqipërisë dhe BE-së.
Komisioni për zgjedhjet
Në fakt, deri një muaj më parë, Komisioni për Reformën Zgjedhore kishte arritur të miratonte vetëm disa përkufizime që lidheshin kryesisht me objektin e këtij ligji, përkufizimet e ndryshme që nga data e zgjedhjeve, e deri tek përcaktimi për periudhën zgjedhore, orari i votimit dhe e drejta për të përcaktuar vëzhgues. Për këtë arsye, plot një muaj e gjysmë më parë, Kuvendi vendosi shtyrjen e mandatit deri në fund të muajit Shtator. Por në fillim të këtij muaji, anëtarët e komisionit arritën që të zhvillojnë vetëm dy seanca punimesh. Në seancën e parë u arritën konkluzione të rëndësishme lidhur me përcaktimin në Kod të heqjes së termit “Certifikatë” nga mjetet identifikuese, që një votues mund të përdorë gjatë procesit të votimit. Në Kodin e ri Zgjedhor është përcaktuar që votuesi mund të paraqitet në qendrën e votimit me karta identiteti ose pasaportë biometrike ose jo. Për herë të parë krijohet një fletë e veçantë votimi për zgjedhësit e verbër, ndërkohë që kanë prekur çështjen e vëzhguesve, që krahas atyre që do të jenë në qendrat e votimit do të përcaktohen vëzhgues edhe për procesin e nxjerrjes së rezultatit. Ndërkohë, nuk kanë kaluar ende për miratim çështje të tjera shumë të rëndësishme që lidhen me financimin e partive, për të cilën parimisht është rënë dakord që në Kod të përcaktohen rregulla të qarta detyruese, që partitë të zbardhin burimet e tyre financiare gjatë fushatave. Nuk është vendosur ende për koalicionet e përbëra, për të cilat dy partitë e mëdha janë shprehur pro, por që nuk kanë zbardhur asgjë për dy nivelet e llogaritjes nga zbatimi i këtij koalicioni. Një tjetër pikë ende e parealizuar nga Komisioni për Reformën Zgjedhore vazhdon të mbetet përfaqësimi i komisioneve zgjedhore; procesi i numërimit të votave; listat e zgjedhësve dhe përbërja e KQZ-së. Sa i përket kartave të identitetit, problemi tjetër që Ambasadori i Komisionit Evropian, zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Pone, në mbledhjen e dytë të zhvilluar për këtë muaj nga komisioni për zgjedhjet, garantoi se ky proces do të përmbyllet vitin që vjen, ndërkohë që opozita është shfaqur skeptike, për vetë problematikën që mbart ky proces.
Axhenda, Kodi s’miratohet deri në 13 Nëntor
TIRANË- Nuk ka asnjë afat konkret se kur do të përfundojë Kodi i ri Zgjedhor. Kjo sepse në axhendën e punimeve të kalendarit dymujor, nuk është përfshirë asnjë rresht lidhur me përcaktimin e ndonjë date për miratim në seancat e pritshme plenare Edhe në mbledhjen e dytë për këtë sesion të Konferencës së Kryetarëve të grupeve parlamentare nuk është përfshirë në axhendë miratimi i Kodit Zgjedhor, çka do të thotë se partitë politike nuk do ta përfundojnë punën për reformën zgjedhore deri në datën 13 Nëntor. Mospërcaktimi i një datë fikse për miratimin e Kodit të ri Zgjedhor të çon domosdoshmërisht në faktin e pakundërshtueshëm, që mandati i Komisionit për Reformën Zgjedhore do të shtyhet sërish me vendim të Kuvendit. Mandati i këtij komisioni, sipas vendimit të mëparshëm përfundon në datën 30 Shtator. Ndërkohë, bashkëkryetari demokrat në këtë komision, Ilir Rusmali ka lënë të kuptohet se ky mandat do të shtyhet, po as ai dhe as bashkëkryetari tjetër socialist, Fatmir Xhafaj, nuk janë shprehur publikisht mbi këtë çështje. Në axhendën parlamentare të këtyre dy muajve, është përfshirë: Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për buxhetin faktik të shtetit, të vitit 2007; projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr.8331, datë 21.04.1998, “Për ekzekutimin e vendimeve penale”; drafti “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të zgjedhurve” dhe projektligji “Për shërbimin e kontrollit të brendshëm në Ministrinë e Brendshme”.