E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Qeveria shton hapësira për korrupsion

 

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, metodat e qeverisë për formalizimin e biznesit, thjeshtë sa kanë shtuar diskriminimin dhe korrupsionin

Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkoi gjatë javës së fundit të bindë qeverinë për një deficit të ulët buxhetor dhe për të ndaluar reformën e gabuar në fushën e sigurimeve shoqërore, por duket se nuk ia doli. Një mision i FMN-së vizitoi vendin, për të diskutuar planet e qeverisë për buxhetin e vitit të ardhshëm dhe atë të politikës fiskale. Në fund, shefi i misionit, Gerwin Bell duket se doli i pakënaqur. “Ne i sugjeruam qeverisë të ulë deficitin e programuar për vitin e ardhshëm, në rreth 3.5% të PBB-së, si dhe të mos ulë kontributet e sigurimeve shoqërore”,- deklaroi ai. Por ministri i Financave, Ridvan Bode, përmendi një ulje të deficitit me 1% të PBB-së, nga aktuali 5.2%. Diferenca mes këshillës së FMN-së dhe qëndrimit të qeverisë, është rreth 100 milionë euro në vlerë monetare.

Shtohet diskriminimi dhe korrupsioni

FMN qe veçanërisht kritik për politikën e qeverisë në fushën e sigurimeve shoqërore, politikë që është kritikuar shumë nga të katër anët, përfshirë raportin e Bankës Botërore “Të Bërit Biznes 2009” si dhe shumë organizata biznesi.

“Formalizimi i ekonomisë informale në Shqipëri është një objektiv i rëndësishëm. Gjithsesi, kjo nuk duhet të arrihet thjesht në rregullore shtrënguese administrative, të cilat, thjeshtë shtojnë hapësirat për diskriminim dhe korrupsion”, - deklaroi Gerwin Bell, shef i Misionit. Sigurimet shoqërore janë bërë problemi më i madh i biznesit në Shqipëri sot, për shkak se qeveria ka vendosur taksim afrofe për të gjithë të punësuarit, ndërsa së fundmi vendosi një taksim afrofe edhe për biznesin e vogël. “Në vend të masave administrative, duhet të përdoren masa që e shtyjnë individin të vetëdeklarohet. Në këtë kontekst, ne këshillojmë mosuljen e normës së kontributeve të sigurimeve shoqërore. Përkundrazi, reforma e pensioneve duhet të përqendrohet në balancimin e kontributeve me përfitimin, në mënyrë që njerëzit të nxiten të vetëdeklarojnë të ardhurat reale”,- tha Bell.

Sigurimet shoqërore janë sektori më domethënës i të gjithë reformave të qeverisë gjatë tre vjetëve të fundit. E nisur si një aventurë që synonte uljen e taksave thjeshtë për ofruar spektakël mediatik, masat e ndërmarra nga qeveria u kthyen në pengesën më të madhe në hapjen e një biznesi të vogël, duke përdorur përgjithësisht parimin e taksave për kokë.

Reforma te sigurimet

Deri në vitin 2006, qeveria dhe të punësuarit i qenë nënshtruar një marrëveshjeje të heshtur, në bazë të së cilës, njerëzit siguroheshin duke deklaruar për të ardhura pagën minimale. Ligji aktual i sigurimeve shoqërore sanksionon pensione në masë të përafërt me pagën minimale dhe të gjithë ishin dakord. Sigurimet shoqërore arritën njëfarë stabiliteti financiar. Por qeveria e re e kryeministrit Berisha kishte plane të mëdha. Nga njëra anë dëshironte rritjen e pagave dhe pensioneve me ritëm të shpejtë, nga ana tjetër, dëshironte të ulte taksat. Për pasojë, në vitin 2007, u ul nominalisht kontributi ligjor i sigurimeve shoqërore nga 41% mbi pagën, në 32%. Por kjo ulje u kompensua me një dokument që njihet si Harta e Pagës, dokument me anë të të cilit, qeveria përcaktoi pagat për qindra kategori punonjësish. Kjo masë nuk mjaftoi dhe deficiti te sigurimet shoqërore e shëndetësore u shtua me ritëm të shpejtë. Për këtë arsye, qeveria vendosi të rrisë më tej taksimin mbi pagat, duke përdorur si zakonisht, metodën e saj të parapëlqyer të taksimit afrofe. Paga maksimale mbi të cilën zbatohen sigurimet shoqërore, arriti në mbi 70 mijë lekë këtë vit. Vetëm javën e kaluar, qeveria mori një vendim të ngjashëm, kur përcaktoi numrin minimal të punonjësve në subjektet e biznesit të vogël. Pavarësisht nga të gjitha këto masa shtrënguese, deficiti i sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore pritet të arrijë në mbi 250 milionë euro këtë vit, ndërsa qeveria do të detyrohet të paguajë 40% të shpenzimeve totale.

Kritikat

Dy javë më parë, Banka Botërore njoftoi se vendosja e pagave afrofe nga ana e qeverisë, për efekt të sigurimeve shoqërore, qe një masë që përkeqësoi klimën e biznesit dhe që rriti ngarkesën totale fiskale për biznesin e vogël dhe të mesëm. Qeveria ka përcaktuar detyrimin e kompanive për të paguar paga menaxheriale shumë përtej nevojave reale të biznesit, thjeshtë për të mbledhur më shumë para për sigurimet shoqërore. Ndërsa qeveria u kërkon të punësuarve sot më shumë kontribute sigurimesh, nuk është në gjendje t'u ofrojë atyre asnjë lloj pensioni dinjitoz për të ardhmen, duke e kthyer të gjithë skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në një skemë piramidale. Pikërisht për këtë arsye, FMN thotë se qeveria duhet t'u ofrojë qytetarëve skema reale investimi, në mënyrë që kursimet e të gjithë jetës që derdhen në fondin e sigurimeve shoqërore, t'i kthehen individit në masë të drejtë kur të dalë në pension.

FMN pa mekanizëm presioni

Vetëm tre muaj na ndajnë nga mbarimi i “kontratës” mes Qeverisë Shqiptare dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Pas 17 vjetësh marrëveshjeje asistence, FMN pritet të tërheqë misionin e vëzhgimit të përhershëm të Shqipërisë, në janar të vitit të ardhshëm. Por ndërkohë, FMN ka pothuajse katër vjet që toleron qeveritë shqiptare, kryesisht, për shkak se që nga viti 2004 ka humbur mekanizmat e presionit. Vendosja e Taksës së Sheshtë, rritja e pagave dhe pensioneve përtej logjikës ekonomike dhe pamundësia e FMN-së për të vendosur TVSH për sektorin e ndërtimit, janë disa nga shembujt që tregojnë hezitimin e fondit për të ushtruar presion të mjaftueshëm për të bindur qeverinë. Gjatë viteve të mëparshme, FMN konsiderohej si një superqeveri në Shqipëri, ku fjala e saj qe ligj. Për më shumë se një dekadë, kjo prodhoi një menaxhim të vendit të aftë për të ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe për të mbajtur inflacionin e ulët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›