E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëbimi i Ambasadorëve, Bufi: Topalli po sillet si nënkryetare e PD-së

 

Pas letrës së Ambasadorit Amerikan, Uidhers, PS po rishikon mundësinë e shkarkimit të kryeparlamentares Topalli

TIRANË- Partia Socialiste e ka cilësuar skandaloze përzënien nga lozha e Kuvendit të përfaqësuesve të Ambasadës Amerikane, delegacionit të BE-së dhe Misionit të OSBE-së ditën kur Kryeprokurorja, Ina Rama raportonte para deputetëve. Nënkryetari socialist i Kuvendit, Ylli Bufi tha se vendimi për t’i larguar nga lozha e caktuar për këtë qëllim në sallën e seancave plenare, është tërësisht në kundërshtim me praktikat parlamentare që garantojnë transparencën e nevojshme të procesit legjislativ. “Është një incident i pakuptimtë në marrëdhëniet e bashkëpunimit të mirë që Kuvendi i Shqipërisë dhe institucionet e shtetit shqiptar kanë vendosur me përfaqësuesit e SHBA dhe të BE, në procesin e konsolidimit demokratik dhe të integrimit Euroatlantik të vendit”,- tha Bufi para gazetarëve. I vënë në dijeni për këtë incident nga letra e Ambasadorit Amerikan në Tiranë, e botuar në një nga mediet e përditshme, Bufi tha se ka kërkuar shpjegime nga Protokolli i Kuvendit për këtë çështje, por deri në momentin që doli në konferencë shtypi, nuk kishte marrë asnjë përgjigje. Bufi uroi që gjithçka të ketë qenë gabim rastësor i administratës, por në fakt nuk priret ta besojë këtë gjë. “Shkeljet e përsëritura të Rregullores së Kuvendit në drejtim të programimit të punimeve të Kuvendit, në mënyrë të veçantë ato që lidhen me caktimin e rendit të ditës, si dhe në drejtim të zvogëlimit të hapësirës së nevojshme për opozitën, duke mos i dhënë asaj kohën e nevojshme në përputhje me Rregulloren, janë të lidhura me mënyrën se si zonja Topalli po drejton Kuvendin”,- tha nënkryetari socialist i Kuvendit. Bufi nuk e ndan dot kryetaren e Kuvendit, Topalli, nga posti i Nënkryetares së Partisë Demokratike. “Qëndrimi i saj edhe në incidentin e fundit në Kuvend, ku sjellja dhe fjalori i Kryeministrit të vendit ishte i padenjë për aulën e Parlamentit, ishte jo korrekt dhe në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit”, - tha ai.

Mocioni

Pas asaj që ndodhi në seancën e së hënës, ku kryeministri Berisha kërcënoi dhe ofendoi familjarët e deputetit Balla, socialistët duket se do të shikojnë sërish mundësinë e shkarkimit të kryeparlamentares Topalli. “Mënyra e njëanshme e drejtimit të seancës, në shumë raste në kundërshtim me vetë Rregulloren, por edhe duke i ngushtuar hapësirën e nevojshme opozitës, janë të patolerueshme për ne. Padyshim, ne do të jemi pjesë e çdo iniciative që në radhë të parë siguron transparencën. Padyshim, çdo mocion ndaj Kryetares së Kuvendit dhe çdo veprim tjetër që do t’i shërbente kësaj, ne do jemi të këtij mendimi”,- deklaroi socialisti Bufi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›