Kuvend, dekretet e Topit, ditën e Premte
Anëtarët e Komisionit të Ligjeve pritet të kalojnë pa debat dekretet e Topit
TIRANË- Dekretet e Presidentit të Republikës për gjashtë anëtarët e Gjykatës së Lartë do të shqyrtohen vetëm ditën e Premte. Anëtarët e Komisionit të Ligjeve kanë qenë në një zë dje, për t’i kaluar të premten e kësaj jave. Në kryesinë e Kuvendit kanë mbërritur edhe të dhënat e kërkuara nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, për gjyqtarët e emëruar nga Presidenti i Republikës. Më 8 korrik, Presidenti i Republikës shpalli kandidaturat e Andi Çelikut, Arjana Fullanit, Guxim Zenelajt, Majlinda Andreas, Evelina Qirjakos dhe Aleksandër Muskajt, për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë. Me ndryshimin e Rregullores do të jetë Komisioni i Ligjeve ai që do të shprehet mbi emrat në fjalë, çka do të thotë që vetëm pas shqyrtimit ditën e Premte, në fillim të javës që vjen, legjislativi pritet të votojë për të plotësuar vakuumin disamujor në Gjykatën e Lartë. Sipas nenit 111, pika 6 e saj, Kuvendi do zhvillojë seanca dëgjimore për secilin kandidat të propozuar dhe do të marrë, natyrisht, në shqyrtim dhe plotësimin e kërkesave ligjore që duhet të plotësojë një anëtar i Gjykatës së Lartë. Në rast se gjatë këtij shqyrtimi do të ketë mangësi ligjore, Rregullorja parashikon që komisioni përkatës të hartojë një relacion, të cilin Kryetarja e Kuvendit do t’ia drejtojë Presidentit të Republikës si propozues i kandidaturave, ku do ta vërë në dijeni atë për problemin e vërejtur. Megjithatë një proces i tillë duket se nuk do të ndodhë. Fatos Beja, emri i të cilit është dërguar pranë Presidentit për t’u dekretuar si Ministër i Arsimit, tha dje për mediat se dekretet e Topit do të miratohen shumë shpejt.