E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dëbimi i emigrantëve nga SHBA, DASH konfirmon se Ballkani është pjesë e strategjisë amerikane

Vendet e rajonit të Ballkanit janë përfshirë në kontaktet brenda një strategjie më të gjerë amerikane për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar. Kështu  konfirmoi Departamenti amerikan i Shtetit për Radion Evropa e Lirë. Ky institucion nuk i komentoi raportimet e agjencisë amerikane “Bloomberg” se administrata e presidentit Trump po përpiqet të bindë vendet e Ballkanit që të pranojnë migrantët e dëbuar, kryesisht nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela, të cilëve u është hequr statusi i përkohshëm ligjor në SHBA.

“Shtetet e Bashkuara nuk i komentojnë detajet e komunikimit diplomatik me shtetet e tjera, në kuadër të strategjisë për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar. Partnerët amerikanë dhe udhëheqësit rajonalë po punojnë ngushtë me ne për t’i dhënë fund krizës së migrimit të paligjshëm dhe masiv”, theksoi DASH, duke shtuar se zbatimi i politikës së migracionit të administratës së presidentit Trump, është një nga prioritetet kryesore të tij.

Nga Departamenti amerikan i Shtetit theksuan, gjithashtu, se bashkëpunimi i vazhdueshëm me qeveritë e huaja është kyç për parandalimin e migrimit të paligjshëm dhe masiv, si dhe për sigurinë kufitare. “Bloomberg News”, raportoi më 5 qershor se administrata e presidentit Trump po ushtron trysni ndaj Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit që t’i pranojnë migrantët e dëbuar nga Shtetet e Bashkuara.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›