E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debitorët e KESH-it dalin të fituar, qeveria dorëzohet dhe fal kamatëvonesat

Amnistia do të prekë të gjithë konsumatorët familjarë

Ervin Koçi

Kultura e abuzimit dhe e shpërdorimit të ligjit, ose e thënë ndryshe, “fiton më i forti”, ka fituar vërtet edhe një herë në Shqipëri duke dhënë shembullin më të keq. Qeveria është dorëzuar përballë debitorëve dhe borxhlinjve të KESH-it, që gjatë 10 viteve të fundit kanë abuzuar me energjinë elektrike pa e paguar atë. Në bazë të një vendimi të marrë së fundi, qeveria ka vendosur që t’u falë kamatëvonesat të gjithë konsumatorëve që nuk e kanë paguar atë gjatë viteve. Ky veprim është justifikuar me faktin se shteti e ka pasur thuajse të pamundur që t’u vjelë konsumatorëve borxhlinj detyrimet që ata kanë karshi KESH-it për energjinë e konsumuar. Këshilli Mbikëqyrës i OSSH-së, me propozim të drejtorit të Përgjithshëm të OSSH-së, në mbledhjen e datës 13.05.2008, ka vendosur që të gjithë debitorët familjarë, të cilët gjatë periudhës 13.05.2008 - 31.12.2008, paguajnë detyrimet e prapambetura të energjisë elektrike, lejohen të bëjnë arkëtimin e vlerës së principalit të këtyre detyrimeve (bazës) pa arkëtimin e kamatëvonesës përkatëse. Sipas burimeve të OSSH-së, mbas datës 31.12.2008, OSSH-ja dhe strukturat e saj të varësisë do të marrin masat e nevojshme për vjeljen e kamatëvonesave të palikuiduara, që u përkasin detyrimeve të principalit të likuiduar nga konsumatorët familjarë brenda periudhës 13.05.2008 - 31.12.2008. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, u shpreh dje për mediat se, "për të normalizuar situatën dhe që qytetarët të shlyejnë detyrimet e prapambetura që kanë ndaj KESH-it, është vendosur që të ketë falje për kamatëvonesat, duke paguar detyrimin bazë". Edhe pse nuk ka dhënë detaje mbi këtë skemë, ministri Ruli ka lënë të kuptohet se efekti financiar i saj është jo i vogël. Sipas tij, një lloj amnistie që bëhet në këtë rast nga KESH-i, i cili ka marrë mbështetjen ligjore për këtë veprim, synon një pagesë sa më maksimale nga qytetarët për energjinë që kanë konsumuar.

Privatizimi i KESH-it

Amnistia ndaj debitorëve të energjisë elektrike do të marrë fund vetëm pas privatizimit të KESH-it, pasi kompania do të administrohet nga privatët dhe sigurisht që nuk do të furnizojë konsumatorët që nuk paguajnë. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes është vënë këto ditë në aksion për mbledhjen e detyrimeve, të cilat janë miliona dollarë, nga të cilat 120 milionë dollarë janë para vitit 2000 dhe pjesa më e madhe e tyre është pa shpresë arkëtimi. Detyrimet më të mëdha i kanë konsumatorët familjarë, të cilët i detyrohen KESH-it miliarda lekë. Për këtë qëllim, OSSH-ja, ka filluar ndërprerjen e të gjitha lidhjeve të paligjshme, si dhe të debitorëve ndaj faturave të energjisë elektrike. Në qendër të kësaj lëvizjeje janë vënë zonat kryesore të vendit, ku gjendet numri më i madh i konsumatorëve të energjisë, si në Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier, Berat, Elbasan, Laç, Lezhë, Kavajë etj. Sipas OSSH-së, aksioni po kryhet në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Energjisë, me Policinë e Rendit etj. Si pasojë e konsumit të energjisë nga konsumatorët që nuk e paguajnë humbjet në sistemin e shpërndarjes, llogariten në rreth 36 për qind.

Sa do të paguajmë

Sasia e energjisë afrofe rritet gjatë sezonit të dimrit, dhe rritja më e madhe e saj është për qytetet e mëdha të vendit. Kështu banorët e qytetit të Tiranës do të paguajnë 600 kilovat-orë energji elektrike në muaj, gjatë sezonit të dimrit ndërsa banorët e fshatrave të Tiranës do të paguajnë 400 kilovat-orë energji në muaj. Për stinën e verës banorët e qytetit të Tiranës do të paguajnë një sasi prej 400 kw/h energji elektrike në muaj, ndërsa banorët e fshatit sasinë prej 290 kw/h. E njëjta sasi energjie do të paguhet edhe nga qyteti i Durrësit dhe Kavajës, ndërkohë që fshatrat e Kavajës do të paguajnë 230 kw/h energji në muaj. Në këtë mënyrë ata do të paguajnë rreth 2800 lekë energji elektrike. Ndërsa vlera më e ulët do të jetë rreth 1300 lekë. Kjo do të jetë për fshatrat, si dhe për qytetet e largëta si Hasi, Laçi, Tirana fshat, fshatrat e Gjirokastrës etj. Ndërkohë, duke pasur parasysh se në dimër konsumi i energjisë është më i lartë, ERE ka rritur dhe kuotën e llogaritur afrofe për familjarët në këtë stinë. Kështu, vlera maksimale do të jetë për Tiranën qytet me 600 kw/h energji të llogaritur afrofe. Ndërsa çmimi do të mbetet i njëjtë. Në këtë mënyrë këta familjarë do të paguajnë rreth 4200 lekë në muaj. Pas Tiranës vjen Kavaja, me 550 kw/h energji të vendosur afrofe në dimër dhe më të toleruar do të jenë banorët e Koplikut, ku familjarët do të paguajnë për 400 kw/h në muaj. Llogaria do të jetë më e lehtë për fshatrat, të cilët do të paguajnë nga 400 kw/h në maksimumin 250 kw/h.

BOX/////////////////////////
Problemi “afrofe” duhej të mbyllej në vitin 2004

Sipas nenit 52 të ligjit për sektorin e energjisë elektrike, faturimi pa matje ka pasur si afat të fundit të periudhës transitore, datën 31 dhjetor të vitit 2004. Megjithatë, KESH-i e ka shkelur këtë afat të vendosur nga ligji, pasi viti 2006 e ka gjetur me 145 mijë konsumatorë, të cilët e paguajnë faturën e energjisë afrofe. Ndërkohë, pas një kërkese që iu bë ERE-s, u vendos që ky afat të shtyhej deri me 31 mars të vitit 2007. Por edhe ky afat nuk u respektua dhe u shty sërish deri në dhjetor të vitit 2007. Vendimi i fundit i Entit Rregullator të Energjisë vendosi si afat përfundimtar dhjetorin e këtij viti, megjithatë nuk dihet ende nëse ky vendim do të jetë i fundit apo KESH-i do të kërkoj sërish shtyrje të tij.

Tabela//////////////////////////////////
Abonentët Matës të dëmtuar Pa matës

Familjarë 14.680 72.452

Biznese 2.094 14.674

Shtetërorë 336 1.537

Shkurt/////////////////////////////
Bojaxhi: “Kufizimet e ditëve të fundit, nga remontet në transmetim e shpërndarje”

Zyrtarë të sistemit energjetik shqiptar bënë të ditur dje se vendi po vuan disa kufizime në furnizim, të cilat "janë shkaktuar nga remontet në rrjetin e transmetimit dhe shpërndarjes", por nuk dhanë garanci për furnizim të rregullt me drita. Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, deklaroi se situata energjetike është shumë e mirë. Prurjet kanë qenë mesatare ndërsa importet kanë qenë të larta. Sipas Bojaxhiut: "KESH-i do të furnizojë Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes me të gjithë sasinë që ka nevojë dhe që i lejon rregullorja. Ne do të marrim masat e nevojshme për të siguruar me energji klientët tanë". Ndërkohë, popullata në Bathore, Allias, Babrru e zona të tjera të Tiranës, njoftohet se kufizimet e dritave kanë filluar në masë dhe me orë të zgjatura. Autoritetet njoftojnë se shkak për këto kufizime kanë qenë remontet, por burime konfidenciale bëjnë të ditur se remontet janë vetëm pjesërisht shkaku i kufizimeve dhe se arsyeja kryesore është rritja e madhe e konsumit nga kondicionerët në kryeqytet si dhe mosbalancimi i rrjetit nga rritja e konsumit në zonën bregdetare. Me temperatura deri në 35 gradë, sasia e energjisë së konsumuar rritet ndjeshëm. Në të njëjtën kohë, energjia e disponueshme nga importi kufizohet kryesisht për shkak të kërkesës së lartë në tregun grek të energjisë, prej nga është rruga ku kalon 70 për qind e energjisë së importuar të vendit. Parashikimi i motit flet për temperatura të larta edhe për këtë javë, si dhe për zbutje të temperaturave nga e shtuna.

Mirëqenia ndryshon nivelin e konsumit të energjisë

Gjatë dekadës së mëparshme, konsumi i energjisë në Shqipëri varej përgjithësisht nga i ftohti. Konsumi tipik shqiptar në vitin 2000 qe 16 milionë kilovat-orë në ditë vere dhe 22 milionë në ditë dimri. Por gjatë viteve të fundit ulja e ndjeshme e çmimeve për kondicionerë si dhe zgjerimi i sektorit të turizmit, ka sjellë konsum të lartë gjithashtu edhe në verë. Në zonat e Durrësit, të Vlorës e Sarandës, konsumi gjatë verës është shpesh më i lartë sesa konsumi në dimër. Rreth 70 për qind e energjisë së faturuar konsumohet në Ultësirën Perëndimore të vendit, zona më e prekur nga vapa e këtyre ditëve. I gjithë sistemi energjetik shqiptar e ka të vështirë të përballojë konsum më të lartë sesa 22 milionë kilovat në ditë. Një kompani e re, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka për detyrë të furnizojë konsumatorin, ndërsa KESH-i do të jetë prodhuesi dhe importuesi i energjisë elektrike, por jo shitësi. OSSH, e cila brenda këtij viti pritet të privatizohet, do të jetë përgjegjëse për humbjet e energjisë elektrike dhe për faturat e mospaguara.

METE dhe USAID-i, marrëveshje bashkëpunimi në sektorin e gazit

Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), do të ofrojë asistencën teknike për organizimin e sektorit rregullator të naftës dhe gazit pranë Entit Rregullator të Energjisë, (ERE), pas miratimit të ligjit "Për gazin" nga Kuvendi. Për këtë qëllim, në ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ministri Genc Ruli dhe drejtori i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Edward T. Laundau, firmosën Memorandumin e Bashkëpunimit për sektorin e gazit.
Ministri Ruli vlerësoi ndihmën që dha kompania konsulente amerikane "Pierce Atwood", e zgjedhur nga USAID-i, për kuadrin rregullator, ligjor dhe institucional për sektorin e energjisë elektrike pranë ERE-s. Ai vlerësoi faktin se ligji i ri për gazin, vjen në një kohë kur janë firmosur marrëveshjet e mirëkuptimit për zhvillimin e dy projekteve ndërkombëtare të mëdha të gazit, sikurse janë TAP dhe IAP. Fushat e bashkëpunimit të përcaktuara në Marrëveshjen me USAID, përmbajnë drejtimet më të rëndësishme, detyrimet konkrete ligjore për vazhdimin e punës në zbatimin e ligjit të gazit, si dhe të detyrimeve që ka Shqipëria në kuadër të Traktatit për krijimin e Komunitetit të Energjisë.

2 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›