E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëbora, Topi: Të koordinohen në kohë masat e emergjencës

TIRANE - Presidenti i Republikës, Bamir Topi u bëri apel autoriteteve qendrore e lokale që të bashkëpunojnë për të koordinuar në kohë dhe me efektshmëri masat e emergjencës në zonat e izoluara nga dëbora.

Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur se “Presidenti apelon çdo njësi dhe ent shtetëror, çdo parti politike dhe institucion, që tej dallimeve politike, të fokusohen në bashkëpunim e mirëkuptim në përballimin me sukses të kësaj situate emergjente. Në një demokraci dhe shoqëri të lirë nuk ka asgjë më prioritare dhe më të rëndësishme sesa jeta e qytetarëve dhe siguria e tyre.”

Ndërkohë Presidenti apelon kompaninë shtetërore dhe ato private telefonike të marrin çdo masë të mundshme për të siguruar komunikim të pandërprerë në çdo zonë të vendit, si dhe i bën thirrje biznesit privat të dëshmojë solidaritet dhe humanizëm në ndihmë të qytetarëve në nevojë.

Mësohet se Presidenti Topi ka kontaktuar sot me drejtuesit e pushtetit vendor, ku u interesua me detaje për gjendjen aktuale të zonave të izoluara, të cilat ndodhen tashmë në gjendjen e fatkeqësisë natyrore.
Kryetari i shtetit pati kontakte me drejtuesit e pushtetit vendor në Tropojë, Krumë, Kukës, Mirditë, Mat, Bulqizë, Shkodër, Malsi e Madhe, Pukë, Dibër, Korcë, Librazhd dhe Elbasan.

Gjithashtu Topi bisedoi edhe me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA, drejtorin e Emergjencave Civile, si dhe drejtues të tjerë të lartë të përfshirë në përpjekjet për përballimin e kësaj situate.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›