Dëbora në Korçë, Filo: Të gjitha akset rrugore të kalueshme

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Situata në qarkun e Korçës pas reshjeve të dendura të dëborës është në monitorim dhe të gjitha akset rrugore janë të kalueshme.
Kështu bëri të ditur kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ku edhe ka publikuar disa foto nga puna në terren e strukturave të Emergjencave Civile.
“Situata është në monitorim të vazhdueshëm, ndërkohë që të gjitha akset rrugore janë të kalueshme dhe nuk paraqitet asnjë problematikë”, thekson Filo.
Sipas Filos të gjitha strukturat e Emergjencave Civile që kanë qenë këto ditë në terren kanë bërë një punë shumë të mirë në përballimin e situatës së shkaktuar si pasojë e reshjeve të borës.
“Punonjësit e Shërbimeve Publike aktualisht po vijojnë punën në disa zona të cilat janë me problematikë më të madhe në bashkinë Korçë, si Lubonjë, Voskopojë, Shipskë, Roshanj dhe Rehovë”, nënvizon Filo.
/r.e//a.f/