Dëbora në Kukës, prefekti Geca për ATSH-në: Rrugët të kalueshme, OSHEE në terren për riparimin e defekteve

TIRANË, 13 janar/ATSH Situata e motit në qarkun e Kukësit vazhdon të jetë nën trysninë e temperaturave të ulëta shoqëruar me reshje të dobëta bore të lokalizuar dhe erë të fortë.
“Të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme me pajisje dimërore. Nga subjektet kontraktore vazhdon puna për pastrimin e rrugëve nga bora dhe kriposjen e tyre”, tha për ATSH-në sot prefekti i qarkut të Kukësit, Agron Geca.
Geca theksoi se “nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk kemi raportime për ndonjë problematikë emergjente. Të gjitha rrugët janë të kalueshme me pajisje dimërore përveç rrugës që lidh njësinë administrative me rrugën nacionale dhe rrugët e fshatrave Cahan, Xhebexhi dhe Vlahen të bashkisë Has. Nga bashkia Has po punohet për hapjen e tyre”.
Ndërsa i gjithë qarku i Kukësit furnizohet me energji elektrike përveç njësisë administrative Kolsh Surroj fshati Turaj, njësia administrative Shishtavec, fshatrat Pistë dhe Gdheshtë, njësia administrative Malzi, bashkia Kukës.
“Të gjitha ekipet e OSHEE janë në terren për të bërë të mundur riparimin e defekteve. Furnizimi me ujë të pijshëm bëhet sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellës Kanalizime Kukës”, tha Geca.
1 nga 5/k.s/j.p/