E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Reshjet e dëborës në Elbasan, po punohet për hapjen e rrugëve të bllokuara

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Ekipet e Agjencisë së Shërbimeve Publike në bashkinë e Elbasanit kanë punuar pa ndërprerje gjatë natës për hapjen e rrugëve të bllokuara dhe për të ndihmuar qytetarët në vështirësi.

Në një njoftim për shtyp, bashkia Elbasan theksoi se “situata paraqitet më problematike në njësinë Labinot Mal, ku trashësia e dëborës ka arritur deri në 1 metër në disa zona. Një ndër rastet më urgjente ka qenë ndihma e ofruar për 20 persona të mbetur të bllokuar me automjetet e tyre në fshatin Griqan i Sipërm. Aktualisht, po vijon puna për hapjen e rrugëve të bllokuara dhe kriposjen e akseve kryesore për të garantuar lëvizjen e sigurt”.

Bashkia Elbasan apelon qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve të tregojnë kujdes maksimal, duke u pajisur me goma dimërore dhe zinxhirë para çdo lëvizjeje.

“Respektimi i rekomandimeve të autoriteteve mbetet i rëndësishëm për parandalimin e incidenteve. Çdo emergjencë mund të raportohet pranë bashkisë, policisë ose emergjencave civile”, thekson bashkia Elbasan.

Me angazhim dhe gatishmëri të plotë, bashkia Elbasan siguron qytetarët se do të vazhdojë monitorimin dhe ndërhyrjet për përballimin e situatës në kohë reale.

1 nga 3

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›