Dëbora vonon rihapjen e Aeroportit të Stambollit

Aeroporti i Stambollit ka vonuar rihapjen të martën, pasi qyteti më i madh i Turqisë është zgjuar nën rëshje të dendura të dëborës, e cila ka paralizuar trafikun dhe ka penguar shërbimet. Ky aeroport ka edhe qarkullimin më të madh në Evropë.
Një stuhi e dëborës ka mbyllur Aeroportin e Stambollit për herë të parë prej kur ka marrë primatin ndaj Aeroportit Ataturk, si qendër e re e kompanisë Turkish Airlines më 2019. “Autoritetet vazhdojnë të punojnë për të bërë gati aeroportet dhe rutat e transportit për fluturimet tona”, tha në Twitter Yahya Ustun, nënkryetar i Turkish Airlines për marrëdhëniet me median. Më herët, kompania ajrore shtetërore kishte anuluar të gjitha fluturimet nga aeroporti deri në orën 16:00 sipas kohës lokale.
Në qytetin me 16 milionë banorë është parë pak qarkullim dhe kompanitë e dërgesave të ushqimit nuk kanë punuar. Zyra e guvernatorit u ka bërë thirrje banorëve që kanë braktisur makinat e tyre nëpër autostrada që të shkojnë edhe t’i marrin ato. “Ju lutem, le t’i marrim makinat tona”, ka thënë guvernatori, Ali Yerlikaya.
Mbyllja e Aeroportit të Stambollit ka ndikuar në fluturimet drejt Lindjes së Mesme, Afrikës, Azisë dhe Evropës. Aeroporti i Stambollit u ka shërbyer më shumë se 37 milionë pasagjerëve vitin e kaluar, pavarësisht pengesave të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.