Dëbora,bllokohen akset Kukës-Krumë e Kukës-Peshkopi
Reshjet e dëborës që kanë nisur nga mesdita e së premtes në territorin e qarkut të Kukësit vazhdojnë me të njëjtin intesitet dhe në orët e vona të mbrëmjes, duke shkaktuar probleme në mjaft akse rrugore.Është plotësisht i bllokuar aksi rrugor Kukës - Krumë dhe Kukës-Peshkopi. Me mjaft vështirësi është i kalueshëm aksi kryesor rrugor Morin - Kukës - Qafë Shllak. Në aksin rrugor Morin - Kukës - Qafë Shllak po punojnë aktualisht 3 borëpastruese.Pavarësisht reshjeve të dendura të dëborës, aksi rrugor që lidh Shqipërinë me Kosovën është i kalueshëm nga mjetet vogla, ndërsa nuk lejohet lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë.Sipas përgjegjësit të zyrës së emergjencave civile në prefekturën e Kukësit, Azem Tema, në rrethin e Kukësit janë të bllokuara akset rrugore që lidhin qytetin e Kukësit me komunat e Arrnit, Grykë Cajës, Kalisin, Ujmishtin, Zapodin, Shishtavecin, ku trashësia e dëborës ka arritur në mbi 60 centimetra.