E Shtunë, 31 Tetor 2026

Derbi me polemika

Derbi italian ndërmjet Milanit dhe Juventusit është mbyllur me shumë polemika. Gjyqtari Paolo Tagliavento ka qenë qendër e kritikave, pas dy gabimeve trashanike, me ç’rast ua mohoi nga një gol të pastër të të dyja skuadrave. Zëvendëspresidenti i Rossonerëve, Adriano Galliani thotë se ky është rezultat i ankesave të vazhdueshme të Juves në gjyqtarë, kurse trajneri i Bianconerëve, Antoni Conte i është përgjigjur atij duke i thënë, mafi e futbollit italian

Derbi i shumëpritur ndërmjet Milanit dhe Juventusit, i vlefshëm për xhiron e 25-të të kampionatit italian të futbollit, Serie A, është përshkuar me polemika të shumta. Natyrisht, në qendër të tyre qëndron gjyqtari Tagliavento, i cili bëri gabime drastike, të cilat do të diskutohen gjatë.

Fillimisht, në pjesën e parë ai ua mohoi një gol të pastër Rossonerëve, respektivisht Sulley Muntarit, pasi që topi ishte futur thellë në portë, kurse në pjesën e dytë e anuloi golin e Alessandro Matrit, me pretekst pozitën jashtë loje, e cila nuk ekzistonte.

Pas këtyre gabimeve, kanë reaguar ashpër të dyja taboret, mbi të gjitha vendësit, të cilët e akuzojnë gjyqtarin se ka ndikuar direkt në rezultat. “Po shihet se vija e portës paska qenë shumë e trashë. Ai rast na kushtoi, pasi që do të kalonim në avantazh prej 2:0”, thotë fillimisht trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri.

- “Skuadra ime bëri lojë të madhe. Golin e anuluar të Matrit nuk e kam parë, por edhe po të pranohej, do të ishim 2-1. Ndoshta edhe do të barazonim në fund, por jam i sigurt se do të ishte një lojë tjetër. Megjithatë, Juventusi është i pamposhtur dhe ka demonstruar se po bën një kampionat të mirë”, ka thënë Allegri për Sky Sport.

Në anën tjetër, trajneri i Juventusit, Antonio Conte thotë se të dyja skuadrat u dëmtuan nga gjyqtari, kështu që në këtë rast janë një me një. “Komplimente Milanit, pati 60 minuta të nivelit të lartë. Na ka vënë në vështirësi. Më pas ata ranë dhe ne ishim të suksesshëm dhe arritëm të barazonim. Gjyqtarët vazhduan me gabime. Kishte një gabim në favor tonin dhe një në disfavor. Urojmë që të ketë barazi për të gjitha skuadrat”, theksoi Conte për Sky Sport.

Në mes të të dyja pjesëve, ky i fundit ka qenë i përfshirë në një fjalosje me zëvendëspresidentin e Milanit, Adriano Galliani, i cili më pas e la stadiumin dhe nuk e përcolli fare pjesën e dytë. Shkak i kësaj ishte goli i anuluar i Muntarit, pas të cilit kanë mbetur të indinjuar thellë drejtuesit e kampionit aktual të Italisë.

“E shihni se çka ndodh kur qani gjatë tërë javës?” i ka thënë Galliani, Contes, pasi Bianconerët po ankohen vazhdimisht në gjyqtarë. - “Ju jeni mafia e futbollit”, i është përgjigjur trajneri italian, i cili pas ndeshjes e pranoi se kanë ndodhur shumë gjëra që nuk kanë të bëjnë fare me futbollin.

Përpos drejtuesve të klubeve, fjalosjet kanë zbritur edhe në fushë, ku akterë sigurisht se ishin vetë lojtarët. Pas ndeshjes është krijuar një rrëmujë, ku ishin të përfshirë në fjalosje të ashpra lojtarët si Ambrosini, Van Bommel, Chiellini, Pirlo etj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›