E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deçani ia merr yjet Besës

Ashtu siç ishte paralajmëruar, njëra prej skuadrave më të organizuara në Superligë, Besa e ka pësuar një goditje të rëndë të mërkurën. Kjo pasi skuadra pejane është braktisur nga ana e pesë futbollistëve kyçë të saj. Fjala është për Fisnik Papuqin, Krenar Vokshin, Fisnik Gashin, Bekim Bajraktarin e Mensur Durakun.

Këta të fundit, të pakënaqur me ofertat e ofruara nga drejtuesit e skuadrës së Besës, kanë vendosur që karrierën ta vazhdojnë te skuadra e Deçanit, e cila garon në Ligën e Parë të Kosovës.

“Unë bashkë me Krenar Vokshin, Fisnik Papuqin e Fisnik Gashin të paktën në gjashtë muajt e ardhshëm do të luajmë për Deçanin. Transferimi ynë në Deçan është zyrtar. Na erdhi keq që u detyruam të ndahemi me Besën, por nuk kishim rrugëdalje tjetër. Besës i urojmë suksese”, tha Duraku, i cili synon që në Superligë të rikthehen bashkë me Deçanin.

Deçanit më herët iu është bashkuar edhe Bekim Bajraktari, ndërsa rrugën e këtyre lojtarëve mund ta ndjekin edhe Florent Papuqi, Valmir Bytyqi dhe disa lojtarë të tjerë që ende nuk kanë kontrata me klubin pejan.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›