Hysi për befasi
Viteve të fundit Hysi ishte njëri prej ekipeve më të forta në Superligë, edhe atë në çdo aspekt. Në secilin afat kalimtar ishte shumë aktiv sa i përket transferimit të lojtarëve të dëshmuar në futbollin kosovar.
Mirëpo, me të përfunduar kampionati i fundit, Hysi e ka ndërruar qasjen. Skuadra llapjane fillimisht u braktis nga shumica e futbollistëve kryesorë të saj, si: Yll Hoxha, Besar Musolli, Burim Sadiku, Rexhep Sogojeva, Mirsad Idrizi, Leotrim Krasniqi, Agron Ramadani, ndërsa rrezikon të mbetet edhe pa disa të tjerë, siç është kapiteni dhe futbollisti më i mirë i viteve të fundit në Kosovë, Mentor Zhdrella.
Pas gjithë këtyre largimeve dhe pas një vonese të madhe, drejtuesit e klubit u zgjuan nga gjumi dhe e emëruan Hysni Maxhunin shef të shtabit teknik. Me një vonesë të konsiderueshme, me Maxhunin bardheiznjtë edhe i filluan përgatitjet për kampionatin e ri, i cili do të nisë më 22 gusht.
Ish-kampioni i Kosovës tani po mundohet ta ndërtojë ekipin me futbollistë të rinj dhe të talentuar - kryesisht të nxjerrë nga ekipi i juniorëve - të cilët pas disa vitesh do ta krijojnë një ekip cilësor dhe konkurrues.
Njëherësh llapjanët deri më tash janë përforcuar me pesë lojtarë të tjerë të rinj nga klube të tjera, të kërkuar nga Hysni Maxhuni, e ata janë: Taulant Zeneli (Llapi), Leutrim Blaku (Llapi), Arlind Zylfallari (Rahoveci), Jeton Mehmeti (Ferronikeli) e Fidan Ademaj (Hajvalia).
Maxhuni tani po punon me seriozitet të madh me këta futbollistë të rinj për edicionin e ri. Atij i kanë mbetur në dispozicion edhe pak lojtarë me përvojë, derisa shpreson që edhe Zhdrella mos të lëvizë nga Merdari. Kështu, me një kombinim të tillë të lojtarëve, Maxhuni synon ta bëjë ‘telash’ Superligën.
“Jemi duke punuar me lojtarë të rinj, perspektivë. Djelmoshat janë shumë të disiplinuar edhe të përkushtuar në punë. Kanë të ardhme të ndritur. Stërvitjet po shkojnë mirë. E kemi krijuar një atmosferë të mirë dhe po vazhdojmë të punojmë”, tha Maxhuni.
“I kemi edhe dy – tre lojtarë më me përvojë. Po mundohemi ta krijojmë një ekip cilësor që nga tani, me bazë të gatshëm edhe për ndeshje ndërkombëtare. Rezultatet e punës sonë serioze jam i bindur se do të fillojnë të shihen pas dy-tre muajsh”, shtoi ai.
Pavarësisht largimeve të shumta, Maxhuni është i bindur se Hysi edhe në edicionin e radhës do të luaj rol të rëndësishëm në Superligë. “Nuk e kemi objektiv pozitën e parë, Kupë, atë apo këtë pozitë. Jemi të lirë nga një ngarkesë e tillë. Ne synojmë ta krijojmë një ekip cilësor të qëndrueshëm dhe perspektiv dhe do ta luajmë një rol stabil në Superligë”, përfundoi trajneri i njohur kosovar.