E Shtunë, 31 Tetor 2026

Decentralizim apo “riorganizim territorial”?

Diplomatë perëndimorë në Prishtinë dinë boll për ekzistimin e një kornize për bisedimet Kosovë-Serbi që do ta derivonin një marrëveshje të negociuar “fshehtë” mes Prishtinës dhe Beogradit, për një “zgjidhje kreative” për pjesën veriore të Kosovës.
Kjo kornizë është e koduar si “riorganizim territorial”, gjë që do t’u mundësonte edhe Beogradit, edhe Prishtinës që ta shisnin në publik si riorganizim territorial (që nuk e implikon politikën shtetërore, as sovranitetin) brenda shtetit përkatës. Mirëpo, në realitet as Boris Tadiq dhe as Hashim Thaçi nuk kanë aq fuqi politike dhe as guxim qytetar për të negociuar për çështje madhore.
Një fuqi të tillë, për të negociuar për Kosovën me Serbinë dhe në Këshillin e Sigurimit dhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së (përkatësisht me Rusinë eventualisht Kinën) e kanë vetëm ShBA-ja dhe BE-ja, përkatësisht ambasadori Christopher Dell për palën kosovare dhe Brukseli si palë neutrale, prandaj spekulimet se Hashim Thaçi po negocion fshehtë janë “prodhime politike” për efekte mediale, pra politika të lira për tregun e ngeshëm dhe bosh politik të vendit.
Biseda sekrete mes dy palësh në konflikt rëndom bëhen nën sponsorimin e palës së tretë dhe ato nuk janë përjashtim as në epokën kur sekreti shtetëror është relikt i luftës së ftohtë, ngase në vendet demokratike secila marrëveshje duhet të debatohet në Kuvend dhe të ratifikohet aty.
Ndërkaq aktualisht, pos lidershipit të Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës se prapa syve dhe veshëve të publikut po negociojnë Tadiqi me Thaçin besojnë edhe disa nga serbët kosovarë të frustruar nga Beogradi që po i përdor si instrument politik, duke ua rrudhur qesen përditë, por të frustruar edhe nga Prishtina, e cila vetë nuk pati një ofertë solide për ta dhjetë vjet pas luftës.
Në këtë mes “konspiracionistëve” u është bashkëngjitur edhe një lider lokal i serbëve kosovarë, Marko Jakshiqi, anëtar i Partisë Demokratike Serbe në Kosovë, që ka akuzuar Beogradin zyrtar pas vendimit kushtetueses serb për heqjen e pagave të dyfishta për punëtorët serbë të sektorit publik në Kosovë, të cilin, sipas tij, autoritetet në Beograd e kanë marrë pas bisedimeve “të fshehta” me Prishtinën.
Oferta e parë serioze për serbët kosovarë ishte ideja e decentralizimit të administratës në Kosovë, që erdhi si rezultat i premtimit të përfaqësuesit special të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën, Michael Steiner, dhënë komunitetit serb, si pjesë e planit të tij shtatëpikësh që kishte për qëllim t'i nxiste serbët të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të vitit 2002. PSSP-ja atëbotë pati ftuar Këshillin e Evropës për ta udhëhequr procesin e decentralizimit në Kosovë. Ftesës së Steinerit, Këshilli i Evropës iu pati përgjigjur në shkurt të vitit 2003 duke e dërguar në Kosovë misionin e ashtuquajtur “KE: Misioni për Decentralizim në Kosovë".
Tashti diplomacia ndërkombëtare po hulumton një ofertë të re, që do t’i inkurajonte serbët në veri të Kosovës që në pranverën e vitit 2011 të organizojnë zgjedhje të lira nën administratën e Prishtinës, ngjashëm me Shtërpcën, Parteshin dhe Graçanicën.
Gjetja e një zgjidhjeje më pak të dhimbshme për pjesën veriore të vendit është në agjendat ndërkombëtare, serbe dhe kosovare, ç‘është e vërteta, Thaçit do t’i buzëqeshte fati, po qe se gjatë këtij viti do ta përmbyllte këtë çështje të hapur, sepse ai do të ishte i fituar në zgjedhjet e ardhshme nacionale.
Por, Qeveria e Kosovës sikur edhe diplomacia perëndimore janë të vetëdijshëm se asnjë “zgjidhje kreative” nuk mund t’i kalojë caqet kushtetuese, sepse në rast të aranzhmaneve jokushtetuese, bie Pakoja e Ahtisaarit dhe së bashku me të edhe Qeveria dhe kësisoj do të cenohej rëndë vetë shteti multietnik i Kosovës, për t’ua lëshuar vendin ndoshta zgjedhjeve radikale njëetnike.
Ideja e ndarjes së Kosovës nuk është e sotshme. Në formë të decentralizimit politik siç është kornizuar në Pakon e Ahtisaarit, ajo u jep serbëve kosovarë të drejta shtesë, pa e cenuar integritetin territorial të Kosovës, ndërkaq në formën më drastike, si “riorganizim territorial” ajo po rishfaqet edhe dhjetë vjet pas luftës në Kosovë.
Idenë e parë për kësi “riorganizimi territorial” e pati dhënë kryeministri i ndjerë Zoran Gjingjiq. Ideja e tij ishte një strategji “e butë” për ndarjen e Kosovës, në rast se Kosova do të shkonte drejt pavarësisë. Pra, plani i tij e parashihte ndarjen territoriale dhe garanci shtesë për serbët që do të mbeteshin në pjesën e administruar nga Prishtina sikur edhe status të veçantë për objektet fetare ortodokse. Mirëpo ndërkohë Gjingjiqi u vra, ndërsa Pakoja e Ahtisaarit nuk u pranua nga serbët e Kosovës e shteti i ri nuk u pranua nga Serbia.
Kështu që edhe Tadiqi që vjen nga partia e ish-kryeministrit Gjingjiq, nuk ka lëvizur asnjë milimetër nga ideja e paraardhësit të tij. Në anën tjetër nuk duhet harruar se rekomandimet e para për decentralizim janë dhënë nga faktori ndërkombëtar, që atëbotë ishte cilësuar si “çmimi për shtet“, sidomos në raportin e të dërguarit special të OKB-ës, Kai Eide, ku në pikën 58 thuhet se për të realizuar kthimin e qëndrueshëm të komunitetit serb në Kosovë do të nevojitet procesi i decentralizimit. Kurse në pikën 60 të raportit të Eides, që mund të thuhet se ishte “babai teorik” i decentralizimit, thuhej se kjo kornizë do të mund të përfshinte një numër komunash të reja dhe në veçanti në ato pjesë ku serbët e Kosovës do të kishin shumicën e theksuar. Kjo parashikonte kompetenca shtesë në siguri (policia), drejtësi, arsim, kulturë, media, ekonomi, duke përfshire edhe emërimin e zyrtarëve kyç. Po ashtu lejonte lidhje horizontale midis komunave me shumicë serbe. Mbeteshin për t’u shqyrtuar edhe modalitete për lidhje të posaçme me Beogradin, pa i dhënë Beogradit autoritet mbi serbët kosovarë.
Dhe kjo ishte një hyrje në status special për serbët kosovarë.
Implementimi i decentralizimit në brendi të Kosovës u dëshmua se nuk e cenon funksionalitetin e shtetit, por zgjidhjet jokushtetuese, përmes negociatave, dhe sidomos ndarja territoriale e Kosovës pa kundërbalancë, hap Pakon e Ahtisaarit dhe rrënon vetë idenë e shtetit të Kosovës, duke i dhënë asaj mundësi për një kurs tjetër, atë të krijimit të një unioni me Shqipërinë.

(vijon nesër)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›