Defiçiti buxhetor gjatë 2009, tejkaloi me 10 miliardë lekë parashikimin e Financave
Rënia ekonomike e Shqipërisë, sjell ndryshime në disa projektligje ekonomike Situata ekonomike e vendit gjatë vitit 2009 nuk ishte dhe aq e mirë sa ishte parashikuar. Defiçiti buxhetor gjatë vitit të shkuar arriti në 60 miliardë lekë duke i tejkaluar parashikimet e bëra nga Ministria e Financave. Gjithashtu dhe rritja ekonomike arriti në 3.1 për qind, duke u kuotuar me 2.8 pikë më pak nga sa ishte parashikuar. Por një tjetër problem për këtë vit është bërë dhe përmbytjet që ndodhën në veri të vendit të cilat do të kenë ndikim në shkurtimin e buxheteve
në ministritë, çka do të sjelli dhe uljen e shpenzimeve në Ministri. Anëtarët e Komisionit të ekonomisë, diskutuan gjatë mbledhjes së djeshme situatën ekonomike në vend, e cila tregon dukshëm se është prekur nga kriza ekonomike që përfshiu barë botën. Ata i kërkuan Ministrisë së Financave, hartimin e një pakete të re fiskale, si dhe ndryshimin e disa ligjeve për të përmirësuar politikat fiskale në vend, në mënyrë që situata që ka përfshirë vendin të kalohet sa më shpejt. Gjithashtu ata kanë kërkuar që Ministria e Financave gjatë javës së ardhshme të ketë përgatitur draftin ligjor për ndryshimet në buxhetet e ministrive, ku pjesa e shumave të hequra do të shkojë për rimbursimin e dëmeve të shkaktuara për banorët e përmbytur. Pavarësisht se shpesh herë kryeministri Berisha ka deklaruar se ekonomia shqiptare ka pasur rritje vitin e kaluar, ko rrije ka qenë nën shifrat e deklaruara. Gjithashtu anëtarët e komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, kërkojnë që gjatë javës së ardhshme të gjitha draftet ligjore të jenë të përgatitura në mënyrë që të fillojë edhe rregullimi lakor i tyre. Gjithashtu nga ndryshimet ligjore, nuk do të ngelen pa u prekur doganat dhe tatimet, si dhe qeveritë vendore, për të cilat mesa duket do të ketë shkurtim buxheti.Banka e ShqipërisëGjithashtu anëtarët e komisionit të ekonomisë, kanë kërkuar që gjatë javës së ardhshme e pranishme në mbledhje të jenë edhe përfaqësues të Bankës së Shqipërisë, të cilët duhet të paraqesin mundësitë për zgjidhjen e shmangies së zhvlerësimit të mëtejshëm të lekut, i cili ka tendenca që të zhvlerësohet edhe gjatë ditëve në vazhdim. Edhe anëtarët e komisionit janë bindur se rënia e eksporteve , importeve dhe dërgesat e pakta të emigrantëve kanë ndikuar drejtpërdrejtë në zhvlerësimin e mëtejshëm të lekut, çka po sjell një destabilitet në tregun e këmbimit valutor. Baza monetare, ose sasia e përgjithshme e lekut në qarkullim, është rritur me 25 për qind që nga fillimi i krizës në tetor të vitit 2008. Paraja e re u përdor për të mbuluar kërkesat e bankave dhe qeverisë për likuiditet. BSH ka deklaruar në disa raste se ka ndër mend të fillojë tërheqjen e stimulit monetar, gjë e cila mund të sjellë forcimin e lekut, por deri tani stimuli me vlerë të përgjithshme prej 32 miliardë lekë vijon të jetë në qarkullim. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka përsëritur shumë herë se leku ka një kurs luhatës dhe për rrjedhojë, vlerën e monedhës do ta përcaktojë kërkesë-oferta. Fillimi i vitit ka qenë historikisht i vështirë për lekun, për shkak se në këtë periudhe importet janë më të larta, ndërsa transferimi i fitimeve të investimeve të huaja rrit për javë të tëra kërkesën për valutë. Rënia e vlerës së lekut sjell inflacion për shqiptarët, i cili në masë të madhe nuk pasqyrohet në indeksin e çmimeve të konsumit. Kostot e shtëpive, qoftë në rastet kur blihen me kredi apo kur ndërtohen vetë, rriten automatikisht me zhvlerësimin e lekut, por kjo formë inflacioni nuk matet, për shkak se kostoja e shtëpive nuk është përfshirë në indeksin e çmimeve të konsumit.Taulant Halili