E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kulla e Sahatit, një vlerë arkeologjike në mes të kryeqytetit

Pas një restaurimi prej 2 muajsh Kulla e Sahatit tashmë është përfunduar. E ndërtuar në vitin 1822, kjo kullë tashmë  bëhet e vizitueshme për të gjithë qytetarët e vendit. Përveç restaurimit është ndërtuar edhe Muzeu i Kohëmatjes. Kulla e Sahatit ka pranë edhe dyqanin e sahatxhiut që rregullonte orën dhe krahas restaurimit të mirëmbajtjes që synon trajtimin nga jashtë të kullës, mbulimin e piramidës së majës me bakër u rregullua dhe ky muze. Brenda muzeut

të kohëmatjes do të ekspozohen fotografi, makete, sahatet e Shqipërisë, të tipit të vjetër, ato që dikur kanë qenë me tingull. Kjo kullë, e cila më se fundi mori pamjen që meritonte është ndërtuar  me një fond të Ambasadës  Amerikane, dhe Institutit të  Monumenteve me Ministrinë e Kulturës. Ky është restaurimi i dytë që i bëhet kullës mbas vitit 1928. Ajo ka 90 shkallë në formë spiraleje, është 35 metra e lartë dhe deri në vitin 1970 ka qenë ndërtesa më e lartë e kryeqytetit. Fillimisht kishte një kambanë të sjellë nga Venecia e cila binte për çdo orë. Kupola e vendosur në majë i jep asaj një arkitekturë të tipit alla San Marko. Në vitin 1928 Bashkia e Tiranës bleu një orë nga Gjermania. Kjo orë u shkatërrua gjatë luftës së Dytë Botërore dhe u zëvendësua në vitin 1946 me orën e sjellë nga kisha e Shkodrës, e cila kishte shifra romake. Kulla e Sahatit është e hapur për turistët që prej vitit 1996.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›