Defrim Shkupi: Kryetari i AK-së është një megaloman delirant, i ka hipur vetja shumë në qejf
Ish- Sekretari i Shkencës dhe i Çështjeve të Mjedisit në AK, Defrim Shkupi, deklaron se ka pasur raste kur kishim të ndezur edhe televizorin, dhe në momentin që shfaqej fytyra e Kreshnik Spahiut duke folur në ndonjë stacion televiziv, ai na urdhëronte duke na thënë pushoni se kam dalë unë në televizor, duke parë veten me kënaqësi se si fliste.
Gjatë një mbledhje të asamblesë së qytetit të Durrësit janë çuar disa nga themeluesit dhe njerëz të nderuar dhe e kanë kundërshtuar kreun e AK-së, madje zonja Anila Myhedini, një intelektuale e shquar, është çuar në mes të mbledhjes dhe e ka sulmuar Spahiun duke i thënë: Ti je diktator z. Spahiu. Një ditë më vonë vetë zoti Spahiu dha urdhër ta përjashtojnë nga partia zonjën Myhedini. Ky ishte një turp. Unë u largova përfundimisht, pasi intelektualë dhe personalitete të AK-së u denigruan dhe u nëpërkëmbën nga kreu i saj, tregon Shkupi
Sipas tij, Spahiu ka bërë çfarë ka dashur vetë dhe i ka marrë vetë vendimet pa i njoftuar të tjerët në shumicën e rasteve.
Kryetari i AK-së është një megaloman delirant, i ka hipur vetja shumë në qejf. Unë po ju them pa frikë se Kreshnik Spahiu është një paranojak, psikopat i gardës së fundit. Kur na mblidhte, na thoshte që duhet që të gjithë sekretarët të paguajnë nga 1 milion lekë në muaj për partinë, po ne nuk kishim që ti jepnim kaq para partisë. Spahiu na thoshte shumë kohët e fundit që, unë kam harxhuar shumë para me partinë dhe do ti nxjerr të gjitha një më një, do ta shes shumë shtrenjtë partinë një ditë. Sa i përket kandidaturave për deputet, ishte sanksionuar tashmë që 100 deri në 200 mijë euro do të duhet të paguanin secili që do të hynte në listat e kandidatëve për deputet, pasi sipas tij ai kishte harxhuar paratë e tij për partinë dhe organizimin, shprehet Shkupi në gazetën Shekulli.