TemA TV/ Rama: Komisioni, medalja e radhës nga PD. Sdo ketë prezencë të LSI-së në listat e PS-së (VIDEO)
Kreu socialist, Edi Rama, ka mbajtur një bashkëbisedim me gazetarët. Fillimisht ai u ndal në ngritjen e komisionit hetimor nga ana e PD-së për të, duke thënë se ky komision është medalja e radhës për të.
Dua të shprehem shumë i kënaqur që mora medaljen e radhës nga Partia Demokratike dhe nga kryetari i saj, që do të thotë komisionin hetimor të radhës. Edhe pse më duhet të them që nga komisioni hetimor, në komision hetimor, në komision hetimor ka një degradim të vazhdueshëm siç është rrënimi i përgjithshëm i qeverisjes, rrënimi i përgjithshëm i rrugës logjike të komunikimit me popullin dhe me opozitën, rrënimi i përgjithshëm i vetë PD-së që sot është një parti familjare. Përsa i përket pastaj përmbajtjes ka vetëm një përgjigje. Kam parë se ka pasur një mbështetje shumë të madhe publike në rrjetet sociale propozimi i artistit të njohur shqiptar Fate Velaj për ta shpallur 24 prillin ditën kombëtare të shkuljes së veshit. Do ishte një ditë e bukur ku secili mund ti shkulte veshin vetes ose ti shkulte veshin kujtdoqoftë rreth e rrotull për çfarëdo nevoje për të reflektuar dhe për të përmirësuar veten dhe për të përmirësuar njëri-tjetrin. Është shumë paqësore si ide dhe do të ishte një ditë e veçantë në 365 ditët e vitit shqiptar. Ndërkohë që për përmbajtjen jam shprehur, tha Rama gjatë fjalës së tij.
Duke u ndaluar tek koalicioni me LSI-së, Rama ka thënë se nuk do të ketë prezencë të zgjeruar të përfaqësuesve të kësaj partie në listat zgjedhore të PS-së.
Ndërkohë që për sa i përket skuadrës sonë dhe për sa i përket listave unë besoj që është përjashtuar edhe nga vetë kryetari i LSI-së, pjesëmarrja e LSI-së me prezencë të zgjeruar në listat tona. Në fund të fundit një gjë është e sigurt. Ne do tu paraqesim shqiptarëve një skuadër konkurruese, fituese dhe të aftë për të çuar projektin, tanimë, të shkruar dhe të detajuar si asnjë herë tjetër nga një forcë politike në këto 22 vjet përpara zgjedhjeve, për të rilindur Shqipërinë. Ne do të paraqiteni përpara shqiptarëve jo vetëm, por me një Aleancë për Shqipërinë Europiane, një aleancë që është më e gjera që ka pasur ndonjëherë në këtë vend në një konkurrim zgjedhor, tha Rama.
Ai është shprehur ndërkohë se kushdo i ka dyert e hapura tek PS, mes të cilëve edhe të larguarit dhe të zhgënjyerit e AK-së.
Po mirëpresim në mënyrë të vazhdueshme drejtues, themelues të PD ashtu si nga forcat e tjera. Mirëpresim të gjithë ata patriotë, idealistë e njerëz të ndershëm, që u mikluan dhe u tërhoqën pas në emër të flamurit kuqezi, drejt një rruge ky fatkeqësisht destinacioni ishte oborri i Saliut. Është spekuluar në mënyrë të pashembullt me gjithë ndjekësit e ndershëm të Aleancës Kuqezi, vijoi kryesocialisti.
Rama u shpreh i shqetësuar ndërkohë me dublimet në listat zgjedhore, por pavarësisht kësaj, Rama tha se fitorja e opozitës nuk mund të shmanget.
Shqipëria sot është një rrëmujë e tërë kudo. Është rrëmujë me listat, me pronat, me rrugët, me shkollat e universitetet, rrëmujë nga të katër anët dhe ku ta shohësh është vetëm rrëmujë. Duke qenë të vetëdijshëm për rrëmujën e listave, nuk ka asnjë dyshime se ne do ti fitojmë zgjedhjet dhe me qeverinë e re do të rikthejmë rregullin. Nuk mundemi tani të tërhiqemi para kësaj rrëmuje. Jemi këtu për ta zhbërë atë me një projekt të qartë, me një program të detajuar, tha ai.
Rama ripërsëriti faktin se ministrat socialistë do të lënë mandatin e deputetit, kur të emërohen.
Ministrat do zgjidhen mes deputetëve, por me marrjen e mandati të ministrit heqin dorë nga mandati i deputetit. Ato do jenë figura politike, që janë pjesë e skuadrës sonë të Rilindjes, por do të bëjnë një ndarje të punëve, siç kemi rënë dakord dhe e kemi sanksionuar në marrëveshjen me LSI, por edhe në marrëveshje me forcat e tjera të koalicionit, duke bërë që pushtetet (legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor) të bëjnë funksionimin e tyre, dhe duke krijuar kështu një ekuilibër të ri dhe hapësirë të madhe për kontrollon parlamentar, por edhe për t’i kryer punët në shërbim të publikut shumë më mirë duke shtuar numrin e njerëzve tanë pjesëmarrës në këtë hapësirë që nesër do jetë e ndarë mes Parlamentit dhe qeverisë, u shpreh Rama.
Kryesocialisti është përgjigjur edhe mbi protestën e organizuar pak ditë më parë në shtëpinë e ish-deputetit socialist, Kastriot Islami. Ai ka thënë se ajo ishte një protestë spontane dhe normale, duke qenë se votuesit kanë të drejtë të kërkojnë llogari ndaj atyre që u kanë dhënë votën./b.l