Degët mjekësore më të preferuara, në Universitetin e Shkodrës më pak interes për Fizikë-Matematikë

Regjistrimet këtë vit akademik në Universitetin ‘Luigj Gurakuqi’ janë thuajse në të njëjtat nivele me vitin e shkuar. Frekuentimi më i lartë vijon të jetë në Fakultetin e Shkencave të Edukimit, ndërsa më pak i preferuar është në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, konkretisht në degët e Fizikës dhe Matematikës.
“Vazhdojnë të jenë degët më të kërkuara në Universitet, ku nga programi infermieri mami janë 66 kuota të plotësuara, 57 fizioterapia, kemi aplikantë nga trojet”, deklaroi shefi i Departamentit të Lëndëve Paraklinike, Julian Kraja.
Infermieri-mami nga 70 kuota janë plotesuar 66 prej tyre ndërsa fizioterapia ka vetëm 4 kuota të mbetura bosh të cilat pritet të plotësohen me fazën e shtesave. Tregu i punës duket nxitja kryesore përse studentët zgjedhin lëndët mjekësore. Të shumta kanë qenë iniciativat private ku fizioterapistët kanë çelur klinikat e tyre.
“Punësimet janë të pakta në publik, por të shumta në iniciativa private. Është një profesion shumë i bukur, i pastër dhe i lehtë”, shtoi ai.
Në fund të muajit tetor pritet të ketë edhe rezultate përfundimtare mbi regjistrimet në çdo degë të Universitetit të Shkodrës.
/RTSH/