E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lëndë plasëse makinës së gazetarit italian Sigfrido Ranucci, shpërthen dhe automjeti i vajzës së tij

Një shpërthim tronditës u regjistrua mbrëmjen e djeshme (16 tetor) në Campo Ascolano, në qytetin Pomezia, pak jashtë Romës, ku dy automjetet e gazetarit investigativ Sigfrido Ranucci dhe vajzës së tij u hodhën në erë para shtëpisë së tyre. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 dhe u shoqërua me dy shpërthime të njëpasnjëshme, të cilat përfshinë automjetet në flakës epër pasojë u shkatërruan plotësish. Fatmirësisht nga ngjarja nuk ka patur persona të plagosur, por vetëm dëme materiale.

Vajza e gazetarit kishte mbërritur në shtëpi vetëm gjysmë ore para shpërthimit, ndërsa Ranucci ndodhej brenda banesës në momentin e shpërthimeve.

 “Ata mendojnë se ishte një pajisje rudimentare. Mund të kishte vrarë dikë po të kalonte aty në atë moment,” ka deklaruar gazetari.

Karabinierët dhe njësitë hetimore të DIGOS mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe po vijojnë hetimet për përcaktimin e natyrës së mjetit shpërthyer dhe identifikimin e kapjen e autorit/ve.

Gjithashtu, po kontrollohen kamerat e sigurisë në zonë, ndërsa pritet raporti i skuadrës së bombave që po analizojnë dy automjetet e shkatërruara.

Ranucci, i njohur për punën e tij në emisionin investigativ Report, do të dorëzojë një ankesë zyrtare në lidhje me ngjarjen. Ai ka bërë të ditur se kjo nuk është hera e parë që përballet me frikësime. “Verën e kaluar gjetëm dy fishekë jashtë shtëpisë sime. Ka pasur edhe përpjekje për të më delegjitimuar gjatë muajve të fundit,” shtoi gazetari, duke lënë të kuptohet se shpërthimi mund të jetë i lidhur me aktivitetin e tij profesional.

Ranucci njihet edhe për reportazhin e kryer së fundmi për vendin tonë, ku trajtonte marrëveshjen e Shqipërisë me Italinë për pritjen e refugjatëve. Ky reportazh u konsiderua si një pseudo investigim që dëmtonte nderin dhe krenarinë e shqiptarëve me gjysmë të vërteta. Rama tha se qëllimi i investigimit ishte të hidhte baltë mbi Shqipërinë dhe të sulmonte marrëveshjen me Italinë për emigrantët. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›