Deklarata e BKH-së/Rama: Ngjarja me agjentët nuk është rast i veçuar, koha për reflektim profesional

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratës sqaruese të Byrosë Kombëtare të Hetimit mbi paraqitjen e agjentëve të saj në zyrat e Kryeministrisë.
Përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, Rama shkruan se në podcastin e tij ai nuk i kritikoi për armëmbajtje pa leje, po për faktin sipas tij se ata “donin të hynin në kryeministri me patllake siç e thonë edhe vetë në deklaratë.”
“Qenka përgjigjur publikisht edhe BKH-ja ndaj njërit prej një sërë episodesh të mungesës së etikës profesionale të anëtarëve të asaj trupe, të cilin e ceka sot në podkastin FLASIM, duke folur për simptomat shqetësuese të sëmundjeve të vjetra në organizmat e drejtësisë së re! Ata kanë cituar ligjin, sipas të cilit mund të mbajnë patllake, kur në fakt unë nuk i kritikova për armëmbajtje pa leje, po për padijen etike dhe ligjore që i shtyu të donin të hynin në kryeministri me patllake siç e thonë edhe vetë në deklaratë”, shkruan kryeministri Rama.
Kreu i qeverisë vuri në dukje se ky nuk është rast i veçuar, por një prej disa episodeve.
“Sikur të ishte ky një rast i veçuar, pa diskutim që nuk do ta kisha cekur në kuadër të qëndrimit të sotëm mbi simptomat e lartpërmendura, por fatkeqësisht ky ishte më i ëmbli i episodeve që munda të gjej, për trimoshat e BKH-së që shfaqin shpesh boshllëqe shqetësuese etike e profesionale – thënë kjo shumë ëmbëlsisht për këtë pjesë të problematikës së sëmundjeve të vjetra në organizmat e drejtësisë së re”, thekson Rama në postimin e tij.
Ai shton se ka ardhur koha për reflektim profesional dhe ndërinstitucional për të garantuar suksesin e reformës në drejtësi.
“Gjithsesi, po e përsëris, ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional, për të ndarë beben e sapolindur nga ujërat e pistë, në një proces historik ku duhet të garantojmë suksesin e Reformës në Drejtësi, duke garantuar medoemos pavarësinë e gjyqësorit, po ku po ashtu, nuk mundet kurrsesi të lejojmë që kura te bëhet problem më i madh se sëmundja, duke rrezikuar liritë e të drejtat dhe frymëmarrjen e administratës e të ekonomisë së vendit”, përfundon në postimin e tij e tij Edi Rama.
Qenka përgjigjur publikisht edhe BKH-ja ndaj njërit prej një sërë episodesh të mungesës së etikës profesionale të anëtarëve të asaj trupe, të cilin e ceka sot në podkastin FLASIM, duke folur për simptomat shqetësuese të sëmundjeve të vjetra në organizmat e drejtësisë së re!
— Edi Rama (@ediramaal) December 14, 2025
Ata…
Ndërkaq, Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) më herë reagoi pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili tha se disa agjentë të këtij institucioni u paraqitën në godinën e qeverisë dhe se nuk pranuan që të dorëzonin armën, sipas rregullores së sigurisë së lartë të Gardës së Republikës.
Në një njoftim zyrtar, BKH sqaron se ngjarja i referohet datës 20 nëntor 2025, kur tre hetues të saj u paraqitën në ambientet e Këshillit të Ministrave për të ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Posaçme, që parashikonte pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Sipas BKH-së, në hyrjen e brendshme të institucionit, hetuesit u informuan nga Garda se hyrja me armë zjarri nuk lejohej. Njëri prej tyre kërkoi sqarime për mënyrën e depozitimit të armëve, dhe Garda i orientoi drejt dollapëve të posaçëm të sigurisë.
/rtsh.al/