Deklarata e deputetit Lladrovci, e pavlerë për koment

Deklarata e deputetit Ramiz Lladrovci, se organizatorët e protestave kundër faturave të energjisë elektrike për muajin janar janë njerëz të UDB-së dhe nipër të Serbisë ka nxitur reagime.
Ai ka thënë se organizatorët kanë nxitur qytetarët të protestojnë për një çështje që, sipas tij, është vërtetuar se bëhet fjalë vetëm për probleme të llojit teknik, transmeton KTV.
Shpend Kursani, njëri nga organizatorët e protestave, ka thënë nëpërmjet telefonit se etiketimet e tilla nuk iu lejohen zyrtarëve të lartë të shtetit, e aq më pak të përdorin këtë lloj gjuhe ndaj qytetarëve, të cilët kanë kërkuar të dinë se pse po paguajnë aq shumë për energji elektrike, kur për atë çmim nuk e kanë shfrytëzuar rrymën.
Ndërkaq, Ilir Deda ka dhënë një përgjigje krejt të shkurtër, duke u shprehur se kjo deklaratë është e pavlerë për t’u komentuar.
Qytetarët e anketuar janë shprehur se ka pasur manipulime dhe keqpërdorime sa i përket faturave të energjisë elektrike dhe protestave të organizuara dhe se ka qenë e arsyeshme për të kërkuar sqarime./Indeksonline/