Deklarata e fortë e Prandelit: Italia mund të qëndrojë në shtëpi
Skandali i basteve
Do preferoja të flisja për futboll, por me këtë që po ndodh, është e pamundur
Në periudhën kur i gjithë futbolli italian është i tronditur nga zgjerimi i skandalit të basteve, akuzat fluturojnë nga të gjitha krahët dhe mes të dyshuarve janë zyrtarë të lartë të klubeve e lojtarë të përfaqësueses axurre, trajneri Çezare Prandeli ka bërë një deklaratë shokuese. Nëse do të na thoshin që për të mirën e futbollit italian nuk duhet të shkojmë në Kampionatin Europian, për ne nuk do të ishte problem. Për sa më takon, janë disa gjëra të tjera, të cilat i cilësoj më të rëndësishme, ishin fjalët e Prandelit. Më pas, tekniku i Italisë ka folur me tone të ashpra për hetimet, aksionet e policisë të reklamuara me shumë zhurmë nëpër media dhe me lakimin e emrave të njohur. Nuk më pëlqejnë kryqëzatat, por ballafaqimet. Jam kundër pozicionimeve, pa marrë parasysh pasojat, tha trajneri. Më tej, ai shtoi: Do preferoja të flisja vetëm për futboll, por me këtë që po ndodh, është e pamundur. Vazhdojnë të thonë se po marrim në Euro 2012 lojtarë të përfshirë në skandal, por kjo është ti kryqëzosh njerëzit pa fakte. Më pas, trajneri foli edhe për akuzat ndaj portierit Xhanluixhi Bufon, i cili është numri një absolut i Italisë. Si ndihet Bufon? Ai është shumë i fortë, ka personalitet të jashtëzakonshëm. Megjithatë edhe një person i tillë mund ta vuajë një moment kaq të vështirë, theksoi Prandeli. Për Italinë, përgatitjet e fundit drejt Euro 2012 kanë qenë mjaft të vështira dhe skandali i basteve ka trokitur edhe në përfaqësuese, duke nisur me kontrollin e policisë ndaj Krishitos e për të vazhduar me dyshimet ndaj Bonuçit e Bufon. Të gjitha këto deklarata të teknikut italian janë bërë në konferencën e djeshme për shtyp, ku edhe deklaroi formacionin para ndeshjes miqësore me Rusinë, në mbrëmjen e së premtes. Siç konfirmoi Prandeli, Italia, do të nisë menjëherë rrugën e saj në Europian me një superpërballje me Spanjën. Moduli i preferuar është 4-4-2, me portier Bufonin, në mbrojtje Maxho, Barzali, Bonuçi e Balzareti, në mesfushë De Rosi, Pirlo, Markisio, Montolivo dhe në sulm Kasano-Baloteli. Ky me shumë gjasa do të jetë edhe formacioni që do të përdoret në Euro 2012 në Poloni dhe Ukrainë.
Deklarata e fortë e Prandelit: Italia mund të qëndrojë në shtëpi burimi: Gazeta Shqip