Shumë zhurmë për asgjë!
Si zakonisht, edhe në përfundim të këtij kampionati, akuzat për kurdisje të rezultateve të ndeshjeve të Superligës secilën herë po shtohen më shumë.
Pas dyshimeve të mëdha për kurdisjen e rezultateve të tri ndeshjeve të xhiros së 30-të të Superligës, dyshime të njëjta kanë lindur edhe mbi disa duele të javës së 32-të, të zhvilluara të mërkurën që lamë pas.
Madje, për Trepçën ’89 të pakta janë skuadrat që deri më tash nuk janë përfshirë në skandale të tilla. Ekipi mitrovicas të enjten akuzoi shumë klube të Superligës e gjyqtarë, për të cilët theksoi se në mënyrë jo të ndershme titullin e kampionit po ia dhurojnë Prishtinës, vetëm pse sivjet ky klub e kremton 90 vjetorin e themelimit.
Në anën tjetër, një komision hetues, i formuar nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) për tri-katër ditë kishte konstatuar se xhiroja e 30-të kishte qenë e pastër. Mirëpo, ky komision hetues nuk pritet të merret me dyshimet e fundit për kurdisje dhe me akuzat e Trepçës ’89.
“Janë akuza të palogjikshme. Kush ka fakte le t’i deponojë në FFK dhe normalisht që do t’i shqyrtojmë. Ne e dimë se ka defekte, por do të presim të përfundojë edhe kjo javë e fundit dhe ju garantoj se do të marrim masa shumë të ashpra. Ose do të punojmë të gjithë siç duhet drejt ndërkombëtarizimit, ose dënimet do të jenë tepër radikale. Tolerim më s’do të ketë”, tha për Express sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.
Viteve të fundit, çdo skuadër që e ka fituar titullin e kampionit apo që ka mbijetuar në Superligë, suksesi i tyre është kontestuar prej ekipeve tjera, të cilat akuzonin për kurdisje të rezultateve.
E vërteta është se që nga periudha e pasluftës shpesh herë në Superligë dyshohet se gara për titull e mbijetesë është vendosur nëpërmjet kurdisjeve të rezultateve, derisa FFK-ja nuk i ka zbuluar asnjëherë e për dënime as që bëhet fjalë.
E në këtë drejtim shumë më pak sesa shtëpia e futbollit kosovar ka punuar Prokuroria e Shtetit. Kurse në vendet tjera, kushdo që flet për kurdisje, menjëherë ftohet nga prokuroria për t’i hetuar dyshimet, detyrë e së cilës është t’i dënojë kryesit e veprave të tilla.
Për këtë prokurorët shfajësojnë veten, pasi, sipas tyre, kjo çështje nuk është e rregulluar me infrastrukturën ligjore të vendit tonë.
“Kjo çështje nuk është në dispozitat e Kodit Penal të Kosovës. Andaj, pa bërë ankesë ndonjë palë e dëmtuar nga kjo dukuri, ne nuk mund të nisim hetime. Vetëm pasi të marrim ankesë nga pala e dëmtuar, ne mund ta hetojmë rastin”, tha për Express kryeprokurori i Prokurorisë Publike Komunale të Prishtinës, Haki Geci.
Duhet theksuar se akuzat dhe dyshimet e shumta dhe tepër të shpeshta për kurdisje të rezultateve që nga paslufta e kanë dëmtuar me të madhe imazhin e futbollit kosovar. Madje, kohëve të fundit Superliga e Kosovës nga shumëkush ka nis edhe të quhet ‘Superliga e Kurdisur’.