E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luftë për jetë

Menaxheri i ri i Liverpoolit, Brendan Rodgers, është zotuar se do të luftojë si për jetën e tij në mënyrë që të sjellë titullin e kampionit të Premierligës në Anfield Road. Strategu 39 vjeç mezi pret të fillojë punën në gjigantin anglez, ku synon të qëndrojë për një kohë të gjatë.

Menaxheri i ri i Liverpoolit, Brendan Rodgers, ka premtuar se do të “luftojë si për jetën e tij” për të sjellë titullin në Anfield Road. Rodgers, 39 vjeç, u konfirmua për pasardhës të Kenny Dalglishit pasi Liverpooli dhe Swansea arritën marrëveshje kompensimi.

“Ju premtoj se do të luftoj për jetën time dhe për njerëzit e këtij qyteti”, tha Rodgers në prezantimin e tij. “Ne duhet të jemi të gatshëm të luftojmë për titull, por procesi fillon sot”, shtoi ai.

Swansea besohet se ka arritur marrëveshje kompensimi me vlerë prej 7 milionë funtesh për lirimin e Rodgersit, asistentit Colin Pascoe, analistit të paraqitjeve Chris Davies dhe këshilltarit të paraqitjeve Glen Driscoll.

Rodges besohet se ka nënshkruar kontratë trevjeçare. Liverpool ka fituar titullin 18 herë në historinë e tij, por për herë të fundit u kurorëzua kampion më 1989-90.

“Ka kaluar kohë e gjatë dhe kjo më përshtatet. Historia e klubit, dëshpërimet janë joshje për mua. Kanë kaluar 20 vite prej kur ekipi ka fituar titullin për herë të fundit. Ky është një klub që, nëse keni sukses, qëndroni për shumë vite. Ky është synimi im. Sigurisht se varet nga rezultatet dhe avancimi i skuadrës”, u shpreh ish menaxheri i Watfordit dhe Readingut.

Menaxheri i Wiganit, Roberto Martinez, ishte kandidat për post, por kryetari i Liverpoolit, Tom Werder, tha se Rodgers ishte personi i vetëm të cilit i ka bërë ofertë. Me kërkesë të Rodgersit, Liverpooli ka anuluar planet për emërimin e një drejtori të ri të futbollit.

Tifozët e gjigantit nga Anfield Road kanë dhënë shenja të përziera për emërimin e Rodgersit në krye të ekipit, por ai është zotuar se do t’i heshtë të gjithë ata që dyshojnë në aftësitë e tij.

“Shpresoj që me kalimin e kohës të fitoj respektin e tyre. Është klub vërtet i veçantë. Mezi pres të filloj punën në këtë qytet”, vazhdoi ai.

Rreth mënyrës se si do të merret me futbollistët yje të Liverpoolit, Rodgers tha: “Varet nga njerëzit e jo nga yjet. I trajtoj ata si qenie njerëzore. Është çështje e respektit që kam bartur me vete nga koha kur punoja me fëmijë e deri te disa prej yjeve më të mëdhenj në botë. Do të më nevojitet kohë të mësoj se si dua të luaj dhe filozofinë që do ta aplikojmë”, përfundoi ai.

Kush është Brendan Rodgers ?

1973: I lindur më 26 janar në Carnlough, Irlandë e Veriut

1987: Filloi karrierën si mbrojtës me Ballymena United

1990: Iu bashkua Readingut si tinejxher para se të detyrohej të pensionohej për shkak të një lëndimi.

2004: Jose Mourinho emëroi Rodgersin si menaxher i ekipit të të rinjve në Chelsea

2006: Chelsea e promovon në krye të ekipit të dytë.

2008: Emërohet menaxher i Watfordit

Qershor 2009: Kthehet në Reading në vend të Steve Coppell

Dhjetor 2009: Largohet pas startit të dobët.

Korrik 2010: Emërohet menaxher në Swansea.

Maj 2011: Udhëheq Swansean drejt promovimit nëpërmjet play-offit

Maj 2012: Udhëheq Swansean drejt pozitës së 11-të, në sezonin e tyre të parë në Premierligë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›