Deklarata me 5 pika e firmosur nga 963 pedagogë: Kërkojmë dorëheqjen e Ramës, qeveri kujdestare dhe ndalimin e dhunës ndaj studentëve
963 pedagogë, akademikë dhe përfaqësues të jetës publike kanë firmosur një deklaratë me pesë pika, të iniciuar nga Forumi për Dialog Politik, ku kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kujdestare.

Në deklaratë kërkohet gjithashtu ndalimi i dhunës policore ndaj studentëve, ndërsa përfaqësive diplomatike në Tiranë u bëhet thirrje të reagojnë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore.
Firmëtarët u bëjnë apel protestuesve të ruajnë pronën publike dhe private, si dhe qytetarëve të Tiranës të mbështesin studentët.
Mes emrave që kanë nënshkruar deklaratën janë Stefan Çapaliku, Ardian Ndreca, Fatos Tarifa, Zyhdi Teqja, Petraq Milo dhe Lutfi Dervishi.
5 Pikat e Deklaratës së Akademikëve:
I bëhet thirrje kryeministrit t’i hapë rrugë paqëtimit të vendit duke dhënë dorëheqjen. Kërkohet krijimi i një qeverie kujdestare për të siguruar stabilitetin institucional dhe respektuar vullnetin qytetar.
Policisë së Shtetit dhe trupave të rendit u kërkohet të ndalin menjëherë aktet e dhunës ndaj studentëve dhe të refuzojnë prerazi zbatimin e urdhrave të paligjshëm.
Përfaqësive diplomatike në Tiranë u kërkohet të ndërhyjnë publikisht për të ndalur shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore.
Protestuesve u bëhet thirrje të ruajnë bizneset dhe pronën publike e private, duke i hequr regjimit çdo alibi apo pretekst për të ushtruar dhunë e për të delegjitimuar revoltën.
Qytetarëve të Tiranës u kërkohet t’u dalin në zot të rinjve e të bëhen mburojë ndaj dhunës shtetërore, njëlloj si në ditët historike të rënies së diktaturës.