Deklarata/Bode: INSTAT prodhon statistika të besueshme

Kuvendi miratoi dje në seancë plenare, me 71 vota “pro” dhe 53 kundër, ndryshimet në ligjin “Për statistikat”. Projektligji për Statistikat u shoqërua me debate mes mazhorancës dhe opozitës gjatë seancës plenare të së enjtes. Ministri i Financave, Ridvan Bode si dhe nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, deputetja e PS-së. Mimi Kodheli, diskutuan mbi saktësinë dhe përdorimin e statistikave zyrtare. Kodheli theksoi se INSTAT, në varësi të Këshillit të Ministrave, prodhon statistika në funksion të qeverisë. “Ne i kemi propozuar disa herë qeverisë të ndryshojë nenin në të cilin përcaktohet varësia e INSTAT nga Këshilli i Ministrave, për të patur një institucion të pavarur dhe të besueshëm”, tha Kodheli. Por, sipas saj, kjo kërkesë e opozitës nuk është miratuar nga mazhoranca. Por ministri i Financave, Ridvan Bode, hodhi poshtë akuzat e opozitës. Sipas tij, INSTAT prodhon statistika të besueshme, mbi të cilat edhe janë hartuar politikat e suksesshme të qeverisë. Ai tha se jo vetëm statistikat e prodhuara nga INSTAT kanë vlerësuar se ekonomia shqiptare i bëri ballë presioneve të krizës globale financiare. Ministri Bode tha se, Shqipëria është i vetmi vend në rajon që po performon pozitivisht dhe kjo është konfirmuar edhe nga raportet e Bankës Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. “Shqipëria zë vendin e parë sa i takon një sërë treguesish të rëndësishëm si thithja e investimeve të huaja, niveli i eksporteve apo i investimeve në ekonominë shqiptare”, tha Bode. Ligji i propozuar nga qeveria parashikon që titullari i INSTAT të emërohet nga kryeministri për një periudhë pesëvjeçare, me të drejtë riemërimi vetëm një herë. Ky ndryshim u mbështet vetëm nga deputetët e shumicës, ndërsa opozita e kundërshtoi këtë variant, duke këmbëngulur që INSTAT-i të jetë një institucion që të varet nga Kuvendi dhe jo nga Kryeministri. Gjithashtu u miratuan vetëm me votat e mazhorancës ndryshimet në ligjin për inspektimin të cilat u kundërshtuan ashpër nga opozita.
...