E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Objekti i paidentifikueshëm” Kokëdhima

Genc Burimi

-Çudia më e madhe nuk zgjat më shumë se tri ditë. Verdiktit të kësaj aksiome alla shqiptarçe, nuk i shpëtoi as kandidatura si deputet e Koço Kokëdhimës në fillim të majit. Një valë tensioni pushtoi mediat dhe radhët e partisë në pushtet. Me emrin e Koços nga mëngjesi deri në darkë, të krijohej përshtypja se demokracia e kristaltë shqiptare ishte ç’virgjëruar keqazi. Politikanët, që në këto dy dekada e kanë përdhunuar sistematikisht këtë vend, duke filluar me piramidat financiare, duke kaluar nga kanali i Otrantos, tragjedia e Gërdecit, e deri tek episodi famëkeq i 21 janarit, mveshin si burra të mirë pambukun e qengjit të sapolindur. Ndërsa Koço Kokëdhima, që s’e ka drejtuar as pesë sekonda këtë vend, u njësua me figurën e një satrapi që ka çuar apo do ta çojë Shqipërinë në greminë. Tani që çudia 24 orëshe e lajmit të kandidaturës së Koços e humbi magjinë apo tmerrin e saj, ka ardhur momenti t’i analizojmë gjërat me gjakftohtësi. Përtej rastit “Kokëdhima”, konkluzione më të gjera mund të nxirren nga ky episod i ri i rrugëtimit të gjatë të Shqipërisë në kërkim të demokracisë perfekte. Pse figura e Kokëdhimës u shndërrua në një bumerang ? Problemi që shtroi kandidatura e Koços, i përgjigjej njëherazi një sikleti shumë-dimensional që provuan mediat. A mundet të përfaqësojë popullin, një person me handikapë kaq evidente: biznesmen, që ka investuar në media, që ka bërë në rininë e tij propagandën e ish-regjimit komunist, që ka lozur dhe loz rolin e këshilltarit nr. 1 të partisë kryesore në opozitë, që thuhet se s’ka qenë korrekt me punonjësit e tij, që s’ka paguar taksa, që fundi i fundit do ta përdorë karrigen e deputetit për t’u pasuruar duke mbrojtur bizneset e tij? Shumë prej këtyre pyetjeve legjitime të mediave, vetë i interesuari iu përgjigj me një maturi mbresëlënëse në emisionin dy orësh “Opinion” të Blendi Fevziut. Ajo që i mungoi Koços në atë emision, qe ofensiva. Në një pozicion mbrojtës ku ai zmbrapsi si në një kështjellë të rrethuar himarjote çdo shigjetë të moderatorit: “2K” nuk lëshoi një herë të vetme fjalinë çarmatuese “ku është e keqja këtu”. Parlamenti dhe biznesmeni Ta fillojmë nga fillimi. A mundet një biznesmen të pretendojë të bëhet deputet? Parlamenti që në fillimet e tij me demokracinë, ka një virtyt: të jetë pasqyrë e shoqërisë që ai drejton me anë të delegimit të votës. Biznesmenët janë pjesë e shoqërisë ku bëjmë pjesë. Sigurisht një parlament i dominuar nga biznesmenë, do të ishte po aq i shtrembëruar sa një parlament i dominuar nga punonjës të shërbimit civil, apo nga infermierë, apo nga mjekë, apo nga të papunë. Secila kastë do të bënte lobingun dhe ligjet që i përshtaten interesave të saj.

Por nuk duhet shkuar në ekstremin tjetër, të kërkohet të spastrohet totalisht parlamenti nga biznesmenët. Pasi vetë shoqëria nuk e kërkon një gjë të tillë. Pyetjes së Fevziut se nëse ka rrezik konflikti interesash, çfarë do të bëjë Kokëdhima deputet me bizneset e tij, i interesuari iu përgjigj në logjikën e gjërave: “Do t’i përmbahem ligjeve të shtetit shqiptar”. Ato biznese që ligji i konsideron të papajtueshme me statusin e deputetit, do të shiten, ato që ligji i lejon, Koçoja thotë se do t’i mbajë. Ku është e keqja të zbatosh një ligj që fundi i fundit e kanë bërë ata që janë në fuqi dhe në armiqësi që prej tetë vjetësh me z. 2K? Media e deputetit Por biznesi që ka Koçoja, na thuhet, nuk është si çdo biznes tjetër. Ai drejton një media, pra ka kapacitet të manipulojë një pjesë të pushtetit të katërt, duke qenë në garë për t’u bërë dhe pjesë e pushtetit të parë, atij legjislativ.

T’i marrim më shtruar gjërat. Këta që deri tani thonin se mediat e Koços kanë rënë shumë, s’kanë më pikë influence, pretenduakan se të njëjtat media të “2K” do të bëkan namin në opinionin publik, sapo padroni i tyre do të bëhet deputet! Pak semplist si arsyetim. Një media po u la e lirë, po nuk u diskriminua me presione fiskale, e gjen vetë rrugën, e suksesit apo të dështimit. Po të ishte pushteti ai që do ta bënte një media ngadhënjimtare në treg, apo e kundërta, që një media t’i zgjaste jetën një pushteti, do ia kishim parë me kohë hairin kësaj marrëdhënieje. Pse kjo teoremë brilante nuk ka funksionuar në rastin e PD-së dhe RD-së? ǒvlera ka RD-ja sot megjithëse PD-ja është në pushtet? Është e kotë pra t’i kërkohet Koços ndonjë tendence favorizimi midis deputetllëkut dhe mediave të tija. Përsa i përket aspektit “moral”, se a mund të zotërosh një media duke qenë deputet, çudi që opinionistët e këtij vendi nuk janë prekur në sedër, kushedi sa vite më parë, kur Nikollë Lesi i “Koha Jonë”, e krijoi pa qeder një risi të tillë? Morali ta kërkon që në një rast të tillë, deputeti t’i shmanget iniciativave ligjore ku janë përfshirë bizneset e tij.

Gjë që Lesi e shkeli me këmbë asaj kohe kur u implikua si ligjvënës në një polemikë mbi çmimin e gazetave në mënyrë që mos të dëmtohej media e tij…Debate të vjetra. Për t’i riardhur këtij të riut, di të them se në Francë, ku konflikti i interesave shikohet me lupë, pronari i gazetës më të madhe franceze “Le Figaro”, z. Serge Dassault (Serzh Daso), është njëkohësisht edhe senator. Pa harruar që përveç biznesit në media, ai është dhe nr. 1 i industrisë së aviacionit ushtarak në Francë. Dhe që djali i tij, është deputet. Kritizerët në Shqipëri të gjejnë tema të tjera ku t’i vringëllijnë shpatat. Kokëdhima dhe e kaluara Na thuhet me pas se Koço Kokëdhima ka qenë në sferat e larta të ish-rinisë komuniste, gjë që i interesuari jo vetëm që s’e mohon, por e rivendikon me krenari. Pyeteni dhe do e shikoni si i ndrisin sytë kur tregon për epopenë e ndërtimit të kanalit ujitës Vjosë-Levan-Fier, ku ai drejtoi një pjesë të aksioneve.

Të rinjtë e sotëm, që nuk e kanë jetuar Diktaturën Komuniste, duhet ta dinë se vendit tonë i kanë munguar heronjtë antikomunistë, ata që do të kishin guximin të organizonin një disidencë në Shqipëri si në vendet e ish-bllokut sovjetik. Përse t’i kërkohet Koço Kokëdhimës ajo që nuk i është kërkuar në të njëjtën epokë Sali Berishës, apo të ndjerit Kristaq Rama? Besnik Mustafajt, Skënder Gjinushit, Paskal Milos apo Kastriot Islamit? Të gjithë këta emra kanë 20 vjet që merren me politikë dhe asnjë gazetar nuk i mërzit me debate të tilla shterpe. Përse u dashka që sapo një biznesmen të guxojë të mendojë të bëjë politikë, t’i kërkohen akte heroike në rininë e tij? Brenda suazës së komunizmit dhe çka lejonte ai regjim, Koçoja mendon se dha kontributin e vet: të ndihmonte në përmirësimin e kushteve të jetesës së bashkëkombësve të tij. Vinte nga një familje modeste, por ultra-patriote. Nga ato familje ku nuk shqetësohesh për politikë, të cilën e merr era, por për ruajtjen e truallit dhe të vlerave. Siç thuhet në një shprehje franceze: “ka një të vërtetë që s’të gënjen kurrë, ajo është e vërteta e tokës”.

Kush e ka lexuar një intervistë monumentale të Kokëdhimës mbi historinë dy shekullore të tokës së të parëve të tij, që grekët nuk arritën kurrë ta zaptonin, s’e ka të vështirë ta kuptojë se tek ky njeri, sekreti është rrënjosja, dëshira për dheun, që as komunizmi, as berishizmi, as socializmi liberal dhe asnjë formë tjetër politike, nuk do të arrijë t’ia tjetërsojë apo asgjësojë. U bënë 20 vjet që Kokëdhima, si shumë shqiptarë të tjerë, po dëgjon pordhët dhe po duron skizmat që provokon periodikisht klasa politike në Shqipëri. U bënë 20 vjet që herë këshillon të pushtetshmit kah ndryshimit të metodave të guvernancës, herë i godet pa mëshirë me mediat e tij ne mënyrë mazokiste, por të drejtë. Kush mund të mburret në Shqipëri se ka luftuar me mediat e tij të gjithë kryeministrat e këtij vendi? Kush vallë? Të gjithë u shitën, përveç njërit. Si në një betejë midis Davidit dhe Goliatit, Koço Himarjoti apo Don Kishoti, iu kundërvu ballazi edhe Premierit Nano, edhe atij Meta edhe këtij Berisha. Si mund të imagjinohet një sekondë, që një person kërkon të përfitojë nga pusheti, kur ai i ka shpallur luftë të hapur pushtetit tash e prej më shumë se dhjetë vjetësh ? Në terma pasurimi, grupi “2K” sot është hija e “Klanit”. Çfarë e pengoi atë të bëhej “Klan” e kaluar “Klanit”?

Një gjë. Irracionaliteti i Koço Kokëdhimës, jo vetëm për të mos bërë pakt me djallin, por për t’i shpallur luftë djallit. Deri në dërrmim të bizneseve të tija. Një luftë frontale që sot më të rinjve u duket normale në kontekstin e lulëzimit të mediave të lira. S’ka qenë gjithmonë kështu. Ka patur gjithnjë një media që “ka çarë akullin”, që ka dhënë “tempon” e një epoke. Ashtu siç qe “RD” e kohëve të para, kundra grahmave të fundit të komunizmit, ashtu qe dhe “Shekulli” kundra fillimeve të politikës mafioze në Shqipëri. Një politikë e sofistikuar, që nën petkun e vlerave të demokracisë dhe të Integrimit Europian, ka ndërmarrë, që me qeveritë “Nano” e më pas, një zhvatje metodike të pasurive të shqiptarëve, pa harruar rrënimin moral dhe depresionin kolektiv siç e tregon sot çdo sondazh. Vendim i mirë ! Dhe doni ju që ditën kur Koço, që s’i ka borxh askujt në këtë vend, që si pasuri më e çmuar i ka mbetur familja, Qeparoi dhe ai muze pasionant shtëpiak ku mbledh si milingona çdo dëshmi arkeologjike dhe artistike të vazhdimësisë së shqiptarëve në trojet e tyre, me zakonet dhe artin e tyre, doni ju pra kritizerë pa kriter, që ai t’u marrë leje ditën kur do t’i thotë kësaj katrahure stop? Për vetë historinë vetjake të Kokëdhimës dhe karakterin e tij, nuk është hyrja në politikë që duhet të habisë, por vonesa, pse kaq kohë e humbur pa i hyrë politikës vite më parë.

Çfarë kanë më shumë se Kokëdhima ata që pretendojnë se kanë qenë politikanë performantë tërë këto vite? E kritikojnë Koçon se ka pushuar njerëz nga puna, se s’ka paguar rroga apo i është shmangur taksave. Por gjithë këta kryeministra e ministra, që i dhënkan leksione morali një biznesmeni dhe s’kanë drejtuar kurrë ndërmarrjen më të vogël private, ç’duhet të thonë, kur kanë nxjerrë me lopata me mijëra shqiptarë në rrugë, pas kushedi sa operacioneve “fshesa” në administratën publike? ǒduhet të thonë këta qeveritarë kur s’u paguajnë faturat me dhjetëra ndërmarrjeve të ndërtimi në vend dhe pastaj çirren “si është e mundur që ju s’paguani rrogat”? Çfarë hipokrizie! Si është e mundur që këta qeveritarë menjëherë hidhen në sulm si një lukuni ujqërish ndaj një biznesmeni që guxon të hyjë në politikë me akuzën “s’ke paguar taksat” dhe vetë, ose harrojnë të plotësojnë formularin e detyrueshëm të deklarimit të pasurive, ose s’e mbushin sakllam, ose s’përfillin të japin shpjegime, kur fitimet nuk janë në raport me të ardhurat e një qeveritari. Për këtë po hyn Koço në politikë. Të përballet sy më sy e dhëmb më dhëmb në sallën e madhe të Kuvendit të shqiptarëve me ata që u bënë 20 vjet që betohen për të mirën e vendit në emër të shqiptarëve. “Mos e mbro shumë Edi Ramën se do rikthehesh në këtë studio dhe do e shash pas disa muajsh”, ja priti me qesëndi Blendi Fevziu, Koço Kokëdhimës në emisionin “Opinion”.

“Pse jo, në qoftë se do e meritojë”, iu përgjigj pak a shumë me flegmën e tij karakteristike Koço. Është kjo esenca e Kokëdhimës: njerëzit kalojnë, idealet mbeten. Shqipëria dhe shqiptarët duhet të meritojnë politikanë të përkushtuar ndaj vendit dhe jo ndaj xhepit të tyre. Dhe nëse mua më thonë, pas këtij shkrimi ku më udhëhoqi më shumë instinkti se mendja, se “mos na vjen dhe na shan Koçon pas disa muajsh”, do të bëj të njëjtën përgjigje si ai: pse jo, nëse e meriton. Por instinkti rrallëherë të gabon...


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›