Deklaratat e Prokurorisë Speciale për akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së

PRISHTINË, 9 shkurt/ATSH/ Ndërsa dhanë deklaratat përfundimtare në Gjykatën Speciale në Hagë për rastin gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi prokurorët u ndalën në secilin prej tyre.
Ish-krerët e UÇK akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.
Prokurori Alan Tieger iu rikthye procesit gjyqësor duke përmendur se çfarë kanë thënë disa prej dëshmitarëve.
Ai përsëriti se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ishin në vijën e parë të UÇK-së prej fillimit dhe kishin rol të rëndësishëm.
Tieger përmendi që të dy kanë shkuar në Zvicër më 1994 dhe deri më 1998 janë kthyer në Kosovë çdo 3-4 muaj dhe kanë qëndruar aty për disa javë secilën herë.
“Thaçi dhe Veseli kanë pasur detyra të rëndësishme gjatë asaj kohe, të mbanin kontakte, të sillnin armë, përfshirë shtatë prej 12 RPG-ve që u përdorën në sulmet e sinkronizuara ndaj 12 stacioneve policore serbe në shtator të 1997-ës”, shtoi prokurori.
Sipas tij, Thaçi e fitoi reputacionin e personit që lidhi luftëtarët në Kosovë dhe planifikuesit që jetonin në mërgim.
Prokurori e përshkroi Rexhep Selimin si person me lidhje të ngushta me Adem Jasharin dhe me rol të rëndësishëm në fushëbetejë dhe si dikush që gëzonte shumë respekt dhe besueshmëri nga luftëtarët.
Sipas Prokurorisë, Selimi ka qenë organizator dhe pjesëmarrës në sulmet e vitit 1997 kundër forcave serbe.
“Ai gëzonte shumë respekt si ish i burgosur politik. Ndonëse ai ka pasur profil ligjor në LDK në vitet ’90, ai kishte kontakte me Adem Jasharin më 1991 dhe ishte përfshirë në UÇK prej 1993 dhe na ka shpjeguar se iu bashkua Shtabit të Përgjithshëm më 1997. Dhe ja, kështu u bënë bashkë të akuzuarit dhe ata vepronin në mënyrë kolektive”, u shpreh prokurori.
Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë. /rel/