Deklaratat e Ramës, të pavërteta - deputetët u njoftuan, Gramoz Ruçi kërkoi të dijë programin e seancës

Kuvendi rrëzon pretendimet e PS, flet Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Marlind Myftiu
Kuvendi i Shqipërisë hedh poshtë me neveri mashtrimin e kreut të PS, Edi Rama se gjoja nuk janë lajmëruar deputetët e PS-së, për seancën në 5 vjetorin e celebrimit të Pavarësisë së Kosovës. Në një deklaratë për shtyp, sekretari i Kuvendit, Marlind Myftiu sqaroi se deputetët e PS janë njoftuar për seancën një ditë para nga zhvillimi i saj. “Sqarojmë se, përveç publikimit në faqen zyrtare të Kuvendit, si përherë janë njoftuar me telefon për këtë seancë sekretaret e të gjitha Grupeve Parlamentare (përfshirë atë të PS-së). Pas lajmërimit të bërë dje, sekretarja e grupit të PS-së ka kërkuar në emër të zotit Ruçi të dijë edhe programin. Në të njëjtën kohë, dje sekretaret e Seancës Plenare kanë lajmëruar të gjithë deputetët e pranishëm në seancën e djeshme për ceremoninë e ditës së sotme. Deklarata e sotme e Zotit Rama është gjëja më e pavërtetë. Nuk i bëjnë askujt mirë të pavërtetat e sotme të Ramës, aq më tepër që vetëm na bën më shumë të besojmë se është vetë ai që nuk i ka lënë deputetët e vet të marrin pjesë në këtë ceremoni të një përvjetori historik siç është 5 vjetori i Pavarësisë së Kosovës”, sqaroi Marlind Myftiu.