“Edi Rama të vizitojë tunelin dhe t’u kërkojë falje qytetarëve të Elbasanit për bllokimin”
Kryeministri Berisha inspekton punimet në tunelin e autostradës Tiranë – Elbasan, një nga veprat më të mëdha inxhinierike në vend
Kryeministri Berisha i shoqëruar nga Ministri i Transporteve Sokol Olldashi dhe deputetët e qarkut të Elbasanit, përfaqësues të pushtetit vendor dhe komunave përreth si dhe qytetarë të shumtë, ka inspektuar punimet në tunelin e Krrabës, pjesë e autostradës Tiranë – Elbasan. Duke vlerësuar këtë projekt madhor dhe firmën AKTOR, së bashku me firmën kuvajtjane dhe nënkontraktorët e tjerë për punën e mrekullueshme që ata kanë bërë, Kryeministri theksoi faktin se, ndërtimi i këtij tuneli është realizimi i ëndrrës shekullore të qytetarëve të Elbasanit, Tiranës dhe gjithë pjesës jug-lindore të vendit, të cilët përfitojnë nga ndërtimi i këtij tuneli në shkurtimin e distancës me kryeqytetin. Berisha tha se ky është tunel shumë i bukur dhe që plotëson standardet më të larta Europiane të sigurisë, të përshtatshmërisë dhe të ndriçimit. Kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria në këtë mënyrë bëhet vendi i parë që ndërton segmentin më të vështirë në territorin e saj, të Korridorit 8. “Kjo është një ëndërr shekullore, e qytetarëve të Elbasanit dhe qytetarëve të Tiranës, që është bërë realitet. Tuneli i Kërrabës është i kalueshëm plotësisht në të dyja anët, në rafinaturat e tij përfundimtare. Një tunel shumë i bukur, i cili siç do të më thoshte kryeinxhinieri, plotëson standardet më të larta europiane të sigurisë, të përshtatshmërisë, të ndriçimit dhe të të gjitha të tjerave. Jam jashtëzakonisht i gëzuar me përfundimin e këtij tuneli, de facto ky shënon pothuaj edhe përfundimin e rrugës. Së shpejti në një hark kohor pak mujor, Tirana dhe Elbasani do të jenë qytetet më të afërta njëri me tjetrin në Shqipëri, do të jenë siç janë në shpirt të lidhur tiranasit me elbasanasit do të jenë dhe qytetet e tyre të mrekullueshme. Kjo përbën një mbështetje të fuqishme, për mbi një milion banorë, që janë në jug apo juglindje të vendit. Ky tunel shkurton distancën me Shkupin pothuajse një orë dhe për transportin e rëndë më shumë se një orë. Shqipëria në këtë mënyrë bëhet vendi i parë që ndërton segmentin më të vështirë në territorin e saj, të Korridorit 8. Ndaj dhe më lejoni të falenderoj të gjithë punëtoret, të falenderoj inxhinierë, drejtuesit e kompanisë AKTOR, një kompani kjo, ndër më seriozet në rajon dhe më gjerë, në fushën e ndërtimeve”, vlerësoi kryeministri Berisha.
Gjithashtu kreu i qeverisë, ftoi kryetarin e opozitës zotin Edi Rama, që të vijë në këtë vend dhe t’u kërkojë të falur qytetarëve të Elbasanit për bllokimin që i bëri në parlament ndërtimit të saj. “E ftoj zotin Rama, të vijë në këtë vend ku po flas unë dhe tu kërkojë të falur qytetarëve të Elbasanit. Tu kërkojë të falur, sepse e mbajti parlamenti deri në ora 5 të mëngjesit dhe të mos harrojmë, se memoria kombëtare ka orën më precize, e mbajti në mënyrë që të bllokonte së bashku me atë asistentin e shoferit. Megjithëse ju thash: - Mos zotërinj, a e kuptoni ju se, ky është interesi i zgjedhësve tuaj në Kolonjë, deri në Leskovik, në Gramsh në Librazhd, në Berat, sepse po ecet drejt boshtit të jugut. A e kuptoni se çfarë gabimi fatal po bëni duke mos votuar buxhetin për këtë tunel, por megjithatë nuk predominoi atë natë, e cila më ka mbetur në mendje për gjithë jetën, predominoi, inati, smira dhe zilia tek kundërshtarët tanë dhe jo shpirti konstruktiv i bashkëpunimi dhe kënaqësia, që do të ndienin për bërjen realitet të një ëndrre të bukur të më shumë se 1.2 milion shqiptarëve”, tha ai. Duke u ndalur tek projekte tjera madhore të kësaj qeverie, kryeministri Berisha tha se një tunel tjetër dhe ai transformues për Shqipërinë, mezi po pret të nisë punimet, siç është ndërtimi i tunelit të Rrugës së Arbrit. “Më lejoni të siguroj qytetarët e Peshkopisë, të Burrelit dhe të Bulqizës, të Dibrës së Madhe dhe të gjithë shqiptarët se, asgjë nuk do të pengojë këtë qeveri dhe këtë qeverisje, pa e bërë atë një realitet për të gjithë shqiptarët, tunelin e Rrugës së Arbrit”, u shpreh kryeministri.
Më pas ai ka inspektuar edhe njërën nga urat e segmentit rrugor Tiranë-Elbasan, urën më të gjatë të kësaj rruge, e cila është 1.8 kilometra e gjatë. “Kjo urë ndërtohet me një teknologji të veçantë të pa përdorur më parë në Shqipëri. Kjo urë është ura më e gjatë e kësaj autostrade të një rëndësie nevralgjike për zhvillimin e tregut, transportit, por edhe vendit në tërësi”, u shpreh kryeministri Berisha. Rruga Tiranë-Elbasan, e cilësuar si segmenti më nevralgjik, i Korridorit 8, ka si pjesën më të rëndësishme të saj, Tunelin e Krrabës, punimet për të cilin shënuan vlerën e 101 milion dollarëve, investim i buxhetit të shtetit dhe Bankës Islamike për Zhvillim. 204 milionë dollarë është kosto e rrugës së bashku me tunelin. Tuneli i Krrabës, së bashku me akset rrugore para dhe pas tij, respektivisht me gjatësi 13 kilometra dhe 11.5 kilometra i japin jetë një rrugë të re, ndër më të rëndësishmet, në vend, e cila shkurton distancën mes Tiranës dhe Elbasanit në 29.7 kilometra, duke e përshkruar atë vetëm në 18 minuta. Autostrada pritet të inaugurohet dhe të bëjë të mundur qarkullimin e automjeteve brenda pranverës.