Deklaratat publike të Ramës: Mësuesit do t’i heq përmes testimit të ri, universitetet private duhet të mbyllen
Në takimet e ndryshme të porositura që po zhvillon këto ditë në formën enveriste “gju më gju me popullin” apo ramiziste “fshatçe”, Edi Rama ka prezantuar edhe mesjetën e tij të “rilindjes” për një haxhiqamilizëm radikal në fushën e arsimit. Përveçse një njeri i paqartë për të ndërtuar e qeverisur, Rama dëshmon përditë e më tepër del përpara zgjedhësve si dikur me sëpatë në dorë në një rrugë krejt të humbur e të vetmuar. Duke mos gjetur orientim tjetër veç kohës që adhuron, Rama ka shpikur “kontrollin nga poshtë” të arsimtarëve si hapin e parë drejt një shkatërrimi që e adhuron deri në verbëri. Kush i ka harruar, mund të kujtojë ose edhe të mësojë se kontrollet vinin në qendra prodhimi apo zyra shtetërore të organizuar. Anëtarët e ekipit dalloheshin nga shiritat e kuq që mbanin në krah. Ato mund të ishin me 5 klasë fillore dhe kontrollonin mësuesit, mund të ishin kooperativistë dhe i jepnin mend mjekut, etj, etj. Ky kontroll nga poshtë nuk është gjë tjetër veçse forma klasike maocedunideske e kontrollit punëtor e fshatar i cili do sheshojë trupën mësimore të mbarë vendit për të bërë të mundur të “populli” (i paraqitur si asamble prindërish, etj) të vendosë ato që do Rama, duke anashkaluar ligjet e këtij vendi. Hall i madh e ka zënë të shkretin Rama. Në qytete të Shqipërisë qytetarët mezi mblidhen për të formuar asambletë e pallateve ku banojnë për të paguar taksën e ashensorit, pastrimit e gjëra të këtij lloji, e jo më të mblidhen për të zgjedhur mësuesit që as i njohin e as e dinë kush janë e nga vijnë. Logjika thotë se askush nuk ka ngenë t’i hyjë një procesi të pafundmë mbledhjesh e analizash për të “zgjedhur” mësues, duke dëshmuar kështu që ajo që thotë Rama nuk realizohet. Kontrolli sipas konceptit të Ramës do realizojë demaskimin e trupës mësimore e më pas do vendosë pushtetin e sovjetëve sipas modelit “fshatçe”.
Por jo më mirë i kanë punët universitetet private. Për Ramën ato duhen mbyllur pasi nuk kontrollohen prej tij. Inati i Ramës do të ndërkallej në një shprehje dufi e inati kundër të gjithëve. Kështu vepron haxhiqamilizmi i tij.