E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklaratë për shtyp e kryeministrit Berisha

“Jam sot për të ftuar të gjithë qytetarët dhe qytetaret e këtij vendi me durim, me qytetari, me besim të plotë tek shteti ligjor, të ndjekin zgjidhjen, rezultatin përfundimtarë  për  Tiranën.

Zgjedhjet në Shqipëri, në çdo vend të qytetëruar,  në çdo vend të liri, janë nga alfa tek omega  çështje e shtetit ligjor.  Janë testi, janë prova e funksionimit të këtij shteti, e institucioneve të tij.

Unë i garantoj qytetarët shqiptarë se shteti ligjor, institucionet përgjegjëse për shtetin ligjor, kanë të gjitha potencialet, forcën, për të dhënë zgjidhjen më të saktë dhe të vërtetë për garën e ngushtë në Tiranë.

Pak ditë më parë zoti Rama kryesonte në Tiranë me 10 vota, pas numërimit të votave të panumëruara, detyrim që rrjedh nga kushtetuta e vendit, nga themeli i shteti, zoti Basha rezulton të jetë mbi 70 vota para. 

Jam i bindur se  mbështetësit e të dy kandidatëve, presin me padurim të shohin kryetarë  bashkie kandidatin që mbështetën, por i garantoj ata, se interesi  i tyre më i mirë, i familjeve të tyre dhe i qytetarëve të Tiranës është procesi ligjor dhe funksionimi i shtetit ligjor, dalja e rezultatit nëpërmjet  ligjit dhe institucioneve të këtij vendi.

Kjo është një garë e ngushtë, e ndarë  në variantin e parë me 10 vota, në variantin e numërimit të votave të panumëruara  në mbi 70 vota.  Kjo nuk është një provë e thjeshtë, për çdo vend  është një provë e rëndësishme një provë e  vërtetë, ndaj dhe le të dëshmojmë ne se demokracia,  se ligji, se shteti ligjor, mund dhe do të zgjidhë edhe këtë problem delikat, në interesin e të vërtetës, në interesin e vendit.

Unë do t’ju bëja thirrje mediave të vendit të kontribuojnë në këtë proces si  interesi më i mirë i tyre, ky është një proces, e them edhe njëherë, me rezultat të ngushtë, por plotësisht e mundshme për të qartësuar gjer në votën e fundit, plotësisht e mundshme, për të zgjidhur dhe bërë transparencë për çdo votë, plotësisht e mundshme për të nxjerrë në dritën e diellit rezultatin përfundimtarë.

Për të dëshmuar në këtë mënyrë se  pavarësisht se në një situatë, e cila përsëritet shumë rrallë, ligjet e vendit dhe institucionet e tij kanë të gjitha aftësitë dhe mundësitë për të dhënë zgjidhje ligjore.  Nga të gjitha anët vijnë thirrje, apele, por dhe besim dhe mbështetje, për funksionimin e shtetit ligjor dhe unë dua ti falënderoj miqtë e këtij vendi e këtij populli.  Të gjitha thirrjet vijnë nga miqtë e vërtetë, thirrje nga Brukseli, thirrje nga Departamenti i Shtetit , kanë në thelbin e tyre një apel, duan të shohin në këtë vend pasi ata nuk bëjnë tifo për asnjë kandidat, ata janë për interesin më të mirë të shqiptarëve dhe shohin në këtë vend,funksionimin e plotë të shteti ligjor, çdo shqiptarë, do të ndihet krenarë dhe nuk ka pse të jetë aspak ndryshe, kur institucionet e tij, institucionet për të cilat ai ka investuar, të cilat nuk janë të përsosura, por janë funksionale të japin zgjidhje, të zgjedhin në dritën e diellit para tij, para të gjithë shqiptarëve, para miqve tanë ndërkombëtarë, rezultatin e vërtetë përfundimtarë  të këtyre zgjedhjeve.
Në çdo zgjedhje pa përjashtim ka një humbës dhe një fitimtarë, por  ajo që është e sigurtë  të nesërmen të gjithë duan të ndihen qytetarë të lirë, duan të ndihen sëbashku shqiptarë, duhet të shohin me besim tek demokracia e tyre dhe funksionimi i saj.

Ky rezultat i ngushtë i pa precedent  në 20 vitet e fundit, është edhe një provë e paprecedentë  për institucionet e vendit.  Le të shprehim ne  besimin e plotë, se këtë provë po e kapërcejmë me sukses të vërtetë, jashtë çdo lloj presioni, jashtë çdo lloj ndikimi, le të ndjekim ne punën e këtyre institucioneve si rrugën e vetme dhe të sigurtë për ti dhënë zgjidhjen më të mirë ligjore problemit kësaj gare kaq të ngushtë.

Dua  me ketë rast të falënderoj miqtë  tanë kudo, të falënderoj vëzhguesit, të cilët vëzhguan këto zgjedhje në mënyrën më të vëmendshme dhe po vazhdojnë të vëzhgojnë çdo hap të tyre, me një xhest miqësor, dashamirësie të vërtetë ndaj të gjithë shqiptarëve, ndaj vendit dhe shoqërisë së lirë shqiptare.

Faleminderit ! ”


21/05/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›