E Diel, 1 Nëntor 2026

Deklarimi i pasurisë, shtohet numri i inspektorëve që do të hetojnë zyrtarët



Eljona Ballhysa
Komisioni Parlamentar i Ligjeve ka miratuar gjatë mbledhjes së djeshme strukturën e re të Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive të Zyrtarëve të Lartë. Inspektori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, argumentoi përpara deputetëve të Komisionit të Ligjeve arsyet e rritjes së numrit të inspektorëve. Ai bëri të ditur se për shkak të zgjerimit të kategorive që do të deklarojnë pasurinë është e nevojshme edhe rritja e numrit të inspektorëve, si dhe shtimi i disa pozicioneve të reja në administratën e këtij institucioni të pavarur. Vetëm pak kohë më parë, ILDKP-ja vendosi që formularin e deklaratës së pasurisë ta plotësojnë edhe fëmijët e zyrtarëve të lartë.
Kërkesa
Në relacionin e Inspektoratit bëhet e ditur se në ndihmë të rritjes së kapaciteteve investiguese ka dalë e nevojshme që numri i ndihmësinspektorëve të lartë, si funksion i rëndësishëm dhe që i vjen në ndihmë inpsektorëve për kryerjen e një hetimi administrativ sa më efektiv, të jetë i barabartë me numrin e inspektorëve të lartë të ILDKP-së. Sipas inspektorit të Përgjithshëm, Lalla, ILDKP-ja verifikon formularët e deklarimit të pasurive për zyrtarët e 512 institucioneve të cilët e kanë detyrim sipas ligjit që të deklarojnë pasurinë. Gjatë fjalës së tij, përveç shtimit të numrit të ndihmësinspektorëve, Llalla kërkoi vendosjen e postit të sekretarit të Përgjithshëm, i cili do të merret me parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike. “Pozicioni i sekretarit të Përgjithshëm, për vetë specifikën, volumin e madh të punës, përgjegjësive gjithmonë në rritje në marrëdhënie me institucionet qendrore dhe vendore, është i nevojshëm dhe i jep nivelin e duhur të përfaqësimit institucionit”, - është shprehur Llalla. Ai vuri në dukje se gjatë veprimtarisë së Inspektoratit është evidentuar domosdoshmëria e ngritjes së Drejtorisë Juridike dhe Marrëdhënieve me Autoritetet Përgjegjëse. Kjo drejtori, sipas tij, do të merret me problemet juridike, interpretimet ligjore, veçanërisht në funksion të evidentimit dhe trajtimit të rastit të konfliktit të interesave. Kjo zyrë do të japë ndihmesë edhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik në bashkëpunim dhe me institucione të tjera të vendit. Anëtarët e Komisionit të Ligjeve e miratuan kërkesën e ILDKP-së. Deputeti Bashkim Fino sugjeroi që këto ndryshime të mos shoqërohen me shtesë fondi për këtë institucion.
Zgjerimi i hetimit
Vetëm pak kohë më parë, Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive miratoi formularët e rinj që duhet të plotësojnë zyrtarët këtë vit ku do të deklarohet edhe pasuria që zotërojnë fëmijët e tyre. Sipas Inspektoratit të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, një gjë e tillë do t’i shërbejë shumë kontrollit të pasurive. “Një nga elementet në këtë dokument të ri është saktësimi i detyrimit për deklarim të interesave private dhe burimin e krijimit të tyre për fëmijët madhorë jashtë certifikatës familjare të subjekteve që e kanë detyrim deklarimin e pasurisë sipas ligjit”. Inspektorati i Lartë synon shmangien e regjistrimit në emër të fëmijëve jashtë certifikatës familjare, të pasurive të fituara në mënyrë të dyshimtë nga zyrtari, si edhe shmangien e përfitimit të padrejtë të kësaj kategorie personash të lidhur me zyrtarin, si rrjedhojë e pozicionit publik të subjektit. Nëpërmjet krijimit të një baze të dhënash, Inspektorati i Lartë do të posedojë informacion më të plotë mbi personat e lidhur me zyrtarin, çka do të forcojë më tej mekanizmat e hetimit administrativ për evidentimin dhe shmangien e konfliktit të interesave të vazhdueshme dhe rast pas rasti.

21 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›