Goditi me shpullë lojtarin, tifozët kërkojnë largimin e Tares
Lacio barazoi 1-1 në supersfidën me Lacion, por personazhi i ndeshjes ishte Igli Tare, drejtori teknik i lacialëve. Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare u përfshi në një incident me Zaraten. Gazetat italiane sportive dhe josportive i kanë kushtuar një vëmendje të posaçme grindjes së Igli Tares me Mauro Zaraten, duke theksuar faktin se nuk është hera e parë që në shtëpinë e Lacios mbizotëron nervozizmi. Sipas “Gazetta dello Sport”, në grindjen e dhunshme midis Igli Tares dhe Zarates ka pasur edhe një shpullë nga ana e shqiptarit. Ish-sulmuesi i Lacios, tashmë një menaxher i skuadrës, e përgënjeshtroi shumë thatë lajmin. Në faqen online të gazetës tjetër të madhe sportive italiane “Corrierre dello Sport”, përveç lajmit është publikuar edhe një kolazh prej shtatë fotosh të marra nga televizioni “Mediaset” ku hidhet më shumë dritë për atë që ndodhi midis shqiptarit dhe argjentinasit. “Kampioni argjentinas Mauro Zarate”, - shkruan sporteconomy.it, - “pasi u zëvendësua dëshmoi të gjithë zemërimin e tij ndaj trajnerit bardhekaltër” (Delio Rosit)”. Ultrasit e Lacios janë shprehur të pakënaqur nga trajneri i Lacios, Delio Rosi, që, sipas tyre, edhe një herë zhgënjeu me ndërrimet e bëra, por janë treguar shumë të ashpër me Igli Taren. Sipas realsport.it, ata kanë kërkuar që Tare të largohet nga Lacio. Një ultras i Lacios, Lamberto Cantuti Castelvetri, është autori i shkrimit të publikuar në realsport.it, ku thuhet se incidenti midis Tares dhe Zarates ka qenë një skandal i vërtetë.
“Si mundet që një ish-gjysmëlojtar, dhe tani një gjysmë drejtues, t’i marrë për keq fjalët dhe shtyrjen e një lojtari (Zarate)? Si mundet që një përgjegjës të sillet në atë mënyrë?...Igli Tare, largohu nga Lacio!”, - shkruan tifozi i mërzitur, që lë dhe një mesazh drejtuar klubit në stilin e Liverpulit: “Gjithmonë dhe kudo... Ti nuk do të ecësh vetëm!!?
Hamburgu, 15 milionë euro për Canën
Hamburgu interesohet seriozisht për shërbimet e Lorik Canës, kapiten i Olimpikut të Marsejës dhe njëri prej titullarëve të padiskutueshëm të trajnerit të skuadrës franceze, Erik Gerets.
Faqja franceze foot1.com, që nga ana e saj u referohet mediave gjermane, flet për një ofertë prej 15 milionë eurosh për të blerë kartonin e mesfushorit shqiptar. Të njëjtën shumë për kapitenin emblematik shqiptar e referojnë edhe faqe të afërta me Marsejën, si omplanete.com. Klubi gjerman, fitues i Ligës së Kampioneve në vitin 1983, e ka të domosdoshëm një futbollist me cilësitë e Lorik Canës, pasi është duke humbur mesfushorin shkatërrues Nigel De Jong. Holandezi është në ikje e sipër te Mançester Siti dhe menaxherët e ish-klubit të Besart Berishës kanë hedhur sytë nga Loriku për të kompensuar largimin e De Jong. Lojtari holandez është i njohur për ndërhyrjen e rëndë ndaj Altin Lalës në ndeshjen ndërkombëtare Holandë-Shqipëri, (2-1) në tetor të vitit 2006. Gjithsesi, sipas foot1.com, vështirë që Olimpiku i Marsejës të pranojë ofertën dhe të largojë nga skuadra një nga lojtarët e tij më të adhuruar nga tifozeria marsejeze. Lorik Cana është në rikuperim e sipër dhe besohet se këtë fundjavë do të jetë në formacionin e hedhur nga Erik Gerets për ndeshjen kundër Soshosë në transfertë (1 shkurt 2009). Marseja fitoi me Lë Havrë (2-0) dhe pas javës së 21-të ndodhet në vendin e tretë me 38 pikë, katër më pak se Lioni kryesues (42 pikë) dhe tri më pak se Bordoja e vendit të dytë me 31 pikë.
Hajdrish: “Skela, shtylla e Kotbusit”
“Ne dëshirojmë të luajmë një lojë më sulmuese”, - ky është konkluzioni i trajnerit të Energi Kotbusit, Bojan Prasnikar, pas fazës përgatitore dhjetëditore të zhvilluar në Qipro. Dhe këtë e di mirë edhe menaxheri i përgjithshëm i klubit nga ish-Gjermania Lindore, Shtefën Hajdrish, i cili e nis me Ervin Skelën, të cilit i dha sinjale të qarta se dëshiron ta ketë te Energi edhe për sezonin e ardhshëm. Një porosi e qartë nga bosët e skuadrës së Kotbusit ka të bëjë me Ervin Skelën. Shqiptari 32-vjeçar, sipas revistës prestigjioze “Kicker”, ishte një nga shtyllat që mbajtën skuadrën gjatë sezonit të kaluar. Në fazën e parë të sezonit Skela ka shënuar vetëm 1 gol dhe ka dhënë dy asistë (4.16 nota mesatare e “Kicker”-it), por megjithatë Ervini është një figurë qendrore e skuadrës. “Ajo që i mungon atij është një gol vendimtar. Kjo do t’i jepte atij edhe një përshtypje të përgjithshme tjetër”, - citohet Hajdrish nga “Kicker”. Në fakt, pyetja që po shtrohet këto ditë ka të bëjë me faktin se mos ndoshta Skela e ka arritur kulmin e tij dhe tani është në rënie e sipër. Por, Hajdrish paralajmëron: “Ne e shohim atë si një udhëheqës të rezultateve”. Burime të brendshme nga Kotbusi konfirmuan faktin se Skela ishte një ndër ata që shkëlqyen edhe në turneun e Qipros, në “Love Cyprus Cup". Te Kotbusi dëshirojnë përtëritjen e kontratës së Skelës. “Ai (Skela) dha sinjale të qarta”, - shton Hajdrish. Gjithsesi, të dyja palët, gjithmonë sipas “Kicker”, ndahen nga disa pika të ndryshme që kërkojnë në kontratën e re. Skela dëshiron një kontratë dyvjeçare me opsion shtyrje, ndërsa Kotbusi përmes Hajdrish kërkon një kontratë me afat kohor më të shkurtër, në varësi të rezultateve e formës së fantazistit shqiptar.
LALA
Hanoveri i Altin Lalës vazhdon përgatitjet dimërore në Portugali. Kapiteni i Kombëtares u mungon fushave prej disa javësh, por në dhomat e zhveshjes së Hanoverit besojnë se mbijetesa në Bundesligën 1 nuk duhet të jetë temë e nxehtë.
20 Janar 2009