Komisioni i Veprimtarisë shtyn diskutimin e ligjit “Për urbanistikën”
Ndryshimet në ligjin “Për urbanistikën” kanë qenë në rendin e ditës në mbledhjen e djeshme të Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese. Por diskutimi i këtij ligji është shtyrë pasi sipas burimeve pritet që shumë shpejt në komision të depozitohet ligji i ri “Për urbanistikën” dhe miratimi i ndryshimeve në ligjin e vjetër do të ishte i pavlefshëm. Burimet kanë bërë të ditur se miratimi i ligjit të ri të urbanistikës është parashikuar të zhvillohet në seancën e datës 5 shkurt, ndaj pritet që ai të depozitohet shumë shpejt në komision. Ndërsa ndryshimet në ligjin ekzistues parashikojnë shkurtimin e afateve për dhënien e lejes së ndërtimit. Ndryshimet në ligj parashikojnë një afat 58-ditor për miratimin e lejes së ndërtimit. Afati është i ndarë në disa faza. Faza e pranimit të aplikimit zgjat 7 ditë, faza e shqyrtimit të lejes zgjat 45 ditë, faza e zbardhjes 5 ditë, tërheqja e lejes pas pagesës së taksave vetëm 1 ditë. Po kështu ndryshimet në këtë ligj propozojnë dhe aplikimin e parimit të heshtur. Kjo do të thotë që nëse leja nuk shqyrtohet brenda një afati prej 45 ditësh, ajo vlerësohet e miratuar në heshtje.
21 Janar 2009