E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklarohet qëllimi për të vazhduar me projektin e nisur

28/08/2009  Kundërshtarët e Edi Ramës mblidhen në sallën e grupit parlamentar

Ben Blushi thekson se ndahet në koncepte me pjesën tjetër të lidershipit të PS-së

Kundërshtarët e rikandidimit të Edi Ramës, për të marrë sërish në duar drejtimin e Partisë Socialiste, kanë zhvilluar një takim në sallën e grupit parlamentar në godinën e Kryesisë së Kuvendit. Gjatë këtij takimi mësohet se është biseduar mbi taktikën që duhet të ndiqet në ditët në vijim, sidomos pas vendimit të kryesisë së përgjithshme të kësaj force politike mbi zhvillimin e Kongresit të jashtëzakonshëm ditën e shtunë. Pas kësaj mbledhjeje një ndër oponentët më të fortë të Edi Ramës, anëtari i kryesisë socialiste Ben Blushi, ka thënë se qëndrimi nuk do të ndryshojë aspak në raport me pozicionin punist dhe shumë primitiv të një pjese të kryesisë. Ai bëri me dije se, fatkeqësisht, një pjesë e anëtarësisë së kryesisë së PS-së është e lidhur me interesa me ish-kryetarin Rama, qëndrim i cili u reflektua edhe gjatë mbledhjes së këtij forumi. Blushi deklaron se grupi që përfaqëson ndahet në koncepte me pjesën tjetër të lidershipit socialist. Duke parashkruar kërkesat që iu përcollën kryesisë, Blushi theksoi se PS-ja duhet të vendosë një kriter moral. “E kuptoj arsyen pse Edi Rama dhe ata që e mbështetin rrëzuan në kryesi nevojën për të ndryshuar statutin e PS-së. Kjo nuk është një gjë e thjeshtë teknike, është në kazus politik. Arsyet e rrëzimit të statutit nuk janë siç po përkthehet, nuk janë as të sezonit, as të emergjencës, as sepse nuk ka kohë për t’u marrë me statutin, janë thjesht personale. Statuti po rrëzohet sepse i krijon Edi Ramës mundësinë për të mos kandiduar moralisht. Edi Rama ka humbur zgjedhjet dhe gjithë Shqipëria e di që ky është një humbës”, - deklaroi Blushi. Ai u shpreh se ndihej i keqardhur që PS-ja mund t’i japë një mandat shtesë një njeriu që ka humbur zgjedhjet, t’i japë mundësi një humbësi të rikandidojë apo të zgjidhet në krye të PS-së. “PS-ja e kishte zgjedhur Edi Ramën për të mundur Sali Berishën, gjë që nuk ndodhi. Edi Rama nuk mund të ngushëllohet në këtë kongres duke mundur shokët dhe aleatët e vet. Ky është një ngushëllim i vogël, i cili nuk i mjafton askujt për ta rikthyer PS-në në pushtet në kushtet që jemi”, - deklaroi Blushi.

Ndërkohë që ka konfirmuar tërheqjen nga gara për postin e kreut të partisë, Ben Blushi thotë se në kongresin e 29 gushtit Edi Rama do të kalojë përmes një procesi votëbesimi nga ana e delegatëve. Ai kujton se mandati i Edi Ramës ka nisur në vitin 2007 dhe normalisht zgjat 4 vjet. Por me humbjen e zgjedhjeve ky mandat i është ndërprerë dhe tashmë konkurrohet për pjesën që ka mbetur. “Nuk mendoj se kemi zgjedhje brenda PS-së, kemi votëbesim. Ish-kryetari, i cili ka humbur zgjedhjet, po kërkon një votëbesim brenda PS-së për të marrë dhe tepricën e mandatit që i ka mbetur për arsye statutore”, - ka thënë Blushi. Duke analizuar rrëzimin e propozimeve për ndryshimet statutore, Blushi thotë se ndryshimet e kërkuara nuk u pranuan për arsye të krijimit të një alibie personale të humbjes së zgjedhjeve. Kështu, sipas tij, zgjedhjet për kreun e partisë në kongresin e të shtunës janë veçse një farsë, pasi e cilëson si “një garë që nuk është garë”.

Ai ka thënë se përpiluesit e kërkesës për ndryshime statutore kishin për qëllim të ndryshohej diçka në mënyrën e funksionimit të PS-së. Sipas tij, kjo po gjen mbështetje, por ka shumë presione nga njerëz që janë të lidhur me interesa lokale apo qëndrime me Edi Ramën. Ai mbetet shumë dyshues mbi seriozitetin e zhvillimeve gjatë Kongresit, pasi ndryshimet në statut nuk do t’i nënshtrohen votimit të fshehtë. “Jam i bindur dhe ia vlen të testohet në rast se projekti për ndryshimet në statut hidhet në votë të fshehtë në Kongres, ai fiton”, - tha Blushi. Ai bën me dije se gjatë ditëve që kanë mbetur do të tentohet që të bëhet e mundur që paketa e propozuar t’i nënshtrohet një procesi të rregullt të votimit të fshehtë.

PS-ja e Gjirokastrës

Mbështesim rikandidimin e Ramës

Socialistët gjirokastritë mbështesin rikandidimin e Edi Ramës në krye të PS-së si dhe rezolutën me katër pika të dalë nga mbledhja e fundit e Asamblesë socialiste për mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Asambleja e PS-së së qytetit të Gjirokastrës është mbledhur pasditen e enjte nga kryetari i degës socialiste lokale Florian Hysi. “Të gjithë anëtarët e këtij forumi lokal kanë mbështetur unanimisht rezolutën për mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit, si produkt i një vote të deformuar të elektoratit shqiptar”, - është shprehur Florian Hysi gjatë një konference për shtyp, organizuar në selinë e kësaj force politike. Sipas tij, anëtarët e asamblesë së qytetit të Gjirokastrës kanë qenë tërësisht në unison për sa i përket denoncimit të zgjedhjeve të 28 qershorit

Blushi

BenBlushi dhe kundërshtarë të tjerë në Partinë Socialiste do të mundohen të futin në rendin e ditës ndryshimet në statutin e PS-së. Pika më e nxehtë e këtyre ndryshimeve ka të bëjë me ndalimin e rikandidimit të kryetarit aktual, pra Edi Ramës. Një kandidim i Ramës në Kongres do të sillte fitore të padiskutueshme të tij, pasi dihet se pas ardhjes së tij në krye të PS-së kjo parti u rinovua thuajse tërësisht, kryesisht me mbështetësit e kryetarit.

Debatet

Debatet në Kongres pritet të zhvillohen të ashpra. Të dy krahët, pra përkrahësit e Ramës dhe ata të Blushit, do të mundohen të qëndrojnë fort në llogore për të bërë të mundur implementimin e ideve të tyre. Natyrisht, ajo që do të fitojë është shumica, pasi gjithçka do të hidhet në votim. Më pas Kongresi do të vendosë edhe për datën se kur do të votohet nga anëtarësia për të zgjedhur kryetarin e ri që do drejtojë në katër vjetët e ardhshëm.

Anëtari i kryesisë flet për zhvillimet në PS

Majko: Do të votoj Ramën në Kongres

Në prag të Kongresit të jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, deputeti Pandeli Majko i ka cilësuar debatet e fundit në gjirin e socialistëve si pjesë të një gare dhe fushatë normale në një forcë politike me demokraci të brendshme. “Procesi i korrigjimit ka formuar një debat përtej kufijve të caktuar. Unë nuk dua ta sakrifikoj këtë histori debati. Kjo që po ndodh mund të zhvillohet brenda kufizave të normalitetit. Kjo ka të bëjë me ambicien. Politika mund të kthehet në një gjë pa kuptim”, - është shprehur Majko. Ai ka hedhur poshtë aludimet se në Partinë Socialiste ka mungesë demokracie, e imponuar nga lidershipi i saj.

Transparenca në shpalosjen e këndvështrimeve, qoftë edhe të kundërta, sipas tij, mbetet tregues se mendimi ndryshe është pranuar si pjesë normale në jetën politike të socialisteve. “Nuk mendoj se në PS mund të flitet për mungesë të demokracisë së brendshme. Mendoj se aktualisht neve na duhet të ruajmë ekuilibrin, sepse kemi një histori më të rëndësishme se demokracia e brendshme, që është demokracia e Shqipërisë”, - ka pohuar Majko. Anëtari i kryesisë së PS-së, pavarësisht se pranon nisjen e procesit të vetëkorrigjimit, është shprehur kundër lënies përgjysmë të projektit politik të nisur nga kreu aktual në detyrë Edi Rama.

Kongresi të shtunën me dyer të mbyllura

Punimet e Kongresit të jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste që do të mbahet të shtunën, do të zhvillohen me dyer të mbyllura. Kryesia e Partisë Socialiste, e mbledhur mbrëmjen e së mërkurës për rreth pesë orë, vendosi ndër të tjera që punimet e organit më të lartë vendimmarrës socialist të mbahen pa praninë e medieve. Gjatë mbledhjes së kryesisë kjo çështje ngjalli debate mes anëtarëve, disa prej të cilëve, si Ben Blushi, Arben Malaj etj., që tashmë njihen si kundërshtarë të linjës së kryetarit Edi Rama, u shprehën për zhvillimin me dyer të hapura të punimeve të Kongresit të jashtëzakonshëm të socialistëve. Mbledhja e kryesisë e PS-së, e thirrur pasditen e djeshme me kërkesë të disa anëtarëve të saj, rrëzoi edhe ndryshimet statutore të propozuara nga deputeti Ben Blushi

Majko: Kemi përgjegjësi të madhe politike

Projekti politik i PS-së nuk duhet të konsiderohet si një projekt që humbi për arsyet e veta. Unë nuk jam dakord me këtë dhe do ta shpreh mendimin tim edhe në Kongres. Duhet të ketë një balancë me ata që mendojnë ndryshe. Kur sipari të mbyllet, gjërat dalëngadalë do të qetësohen”, - ka thënë Majko. Ai shprehet se PS-ja, si e vetmja parti dhe institucion i mbetur në opozitë, aktualisht ndodhet përballë një përgjegjësie të jashtëzakonshme, që përfshin vendime që shkojnë përtej selisë së kësaj force politike. “Momenti është delikat e i vështirë, dhe kjo është arsyeja pse ne kemi thirrur një kongres të jashtëzakonshëm. Kjo bëhet kur sfidat janë të tilla që duhen marrë vendime. PS-ja ka mbetur elementi më i fuqishëm opozitar dhe marrja e vendimeve është shumë e rëndësishme”, - ka nënvizuar Majko.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›