Dekonspirimi/ Lazaratasit i dinë lëvizjet e policisë, qëllojnë me armë sapo të mësojnë diçka
Ka pasur spekulime nëse policia do të tentojë të hyjë në Lazarat. Por edhe nëse policia bën një plan për të ndërhyrë, lazaratasit e mësojnë atë dhe gjithçka dekonspirohet.
Sapo lazaratasit mësojnë se do ketë një operacion të policisë, ata nisin që të qëllojnë me armë në drejtim të Gjirokastrës, raporton Shqip.
Kështu ka ndodhur edhe pak ditë më parë, kur u plagos një 25 vjeçare, që po ecte në rrugë.
Gjithsesi, duket se ky veprim, pra nisja e të shtënave në ajër, është bërë sapo ata kanë mësuar mbi operacionin policor që do të niste atë mbrëmje, apo të nesërmen në mëngjes. Ata, kultivuesit e kanabisit, kanë pasur të gjithë informacionin se Policia e Gjirokastrës, por jo vetëm, do të ndërmerrte një operacion, ku nuk përjashtohej as ndërhyrja në fshat.
Ndërkohë policia vazhdon të ndalojë punëtorët që të shkojnë për të punuar në Lazarat.
Shqip shkruan se ende nuk dihet përse këta punëtorë ndalohen të lëvizin të lirë në territorin shqiptar. Policia e Shtetit mund të shkelë edhe të drejtat e njeriut, kur nuk lejon që një individ, që nuk ka kryer asnjë vepër penale, të lëvizë i lirë. Ata ndalohen dhe pasi mbahen për dhjetëra orë në polici, lihen të lirë. Ndonjëri prej tyre, që mund të shohë shtrembër oficerët e policisë, apo edhe mund të ketë pasur konflikt të hershëm me këta hetues, mund edhe të akuzohet për moskallëzim krimi. Por mbi çtë drejtë apo prove mund të ndalohen këta njerëz?/ep