E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekretet e Topit, PS: U falsifikua fjala e Madhit

Seanca plenare e ditës së  sotme ka nisur me debate të ashpra lidhur me dekretet e presidentit të hedhura për votim në seancën e ditës së hënë. Opozita ka akuzuar kryetaren e kuvendit, Jozefina Topalli se ka falsifikuar procesverbalin përfundimtar lidhur me dekretet e presidentit. Deputeti i PS-së, Musa Ulqini është shprehur se: “Është falsifikuar fjalia e thënë për kandidatin për anëtar të Gjykatës së Lartë, Zamir Poda. Sipas tij është hequr fjalia “I jepet pëlqimi”, dhe i gjithë procesverbali ka të njëjtën shprehje nga fillimi në fund dhe gjëra që nuk janë thënë nga Madhi. Ndërkohë Fatos Beja, nënkryetar i kuvendit është shprehur se: “Vërejtjet duhet të bëhen me shkrim dhe nëse ka deformime ato do të rregullohen”.

Ministri i Bujqësisë Jemin Gjana është shprehur se kandidati Zamir Poda nuk ka marrë vota dhe nuk i është dhënë pëlqimi. Në kushtet konkrete kanë qenë në sallë 130 deputetë por vetëm 65 prej tyre kanë votuar. Ai nuk ka marrë 50+1 vota në mënyrë që të quhej fitues.

Deputetët e PS-së kanë kërkuar ngritjen e një grupi pune në mënyrë që të analizohet me kujdes procesverbali. Sipas tyre është shumë e rëndësishme që rasti të shihet me seriozitet pasi ka falsifikim të qëllimshëm të fjalëve.

Rajmonda Stefa, deputete e PS-së u shpreh se: “Votimi i të hënës na pëlqeu shumë se ju rrëzuat presidentin që e nxorrët me aq sakrifica e mundim dhe kërkoni të manipuloni dhe kuvendin, ta ktheni në një organizatë të PD-së. Ne po themi zoti kryetar që ju keni hequr deklaratën e zotit Madhi dhe keni shtuar fjalë të paqena.Mos vazhdoni të fshihni votimet e padenja sic bëtë ditët e hënë në këtë seancë kuvendi”.

Ambasadori amerikan ne Tirane, John Whithers ka  deklaruar në një intervistë për një media të përditshme se votimi I ditës së hënë , në parlament, ku u rrëzuan 5 dekretetet e Presidentit për 5 anëtarë të Gjykatës së Lartë, është i padenjë për një institucion të pavarur.Pas një viti në krye të shtetit, Bamir Topi provoi ditën e hënë “rrëzimin” e parë me votë në sallën e Parlamentit, nga e njëjta maxhorancë që e zgjodhi atë në këtë detyrë. 5 dekretet e tij për anëtarët e Gjykatës së Lartë të futur rrufeshëm në seancë plenare, u hodhën poshtë me votën e deputetëve demokratë, republikanë, tek-tuk të ndonjë aleati tjetër qoftë të djathtë, po aq edhe të majtë, në varësi të emrave të propozuar nga Topi. Emrat e dekretuar nga Kreu i Shtetit morën vetëm votat në bllok të Partisë Socialiste, pasi nga votimi i djeshëm u tregua qartë se mund të ketë pasur vota kundër dekreteve edhe nga LSI apo PAD, duke qenë se grupi parlamentar i PS-së unanimisht e kishte deklaruar publikisht votën pro dekreteve.

Ndërkohë që me votimin e të hënës, maxhoranca thelloi hendekun me presidentin Topi, me të cilin kryeministri Berisha kishte nisur një përplasje, e cila në fakt e paralajmëronte një fund të tillë. Por jo vetëm kaq. Nëse situata në Gjykatën e Lartë quhej problematike në javët e bllokimit të dekreteve të Topit, tashmë mund të thuhet se është në një kaos të vërtetë. Në një muaj të mbetur deri në 15 Korrik, kur edhe mbyllet ky sesion parlamentar, e vështirë që të vendoset komunikimi mes kreut të shtetit dhe kryeministrit Berisha. Edhe nëse kjo ndodh, është e vështirë që në 4 javët e mbetura, të kemi votim të dytë për 5 emrat e rinj për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Gjasat duken se kjo çështje do të rihapet për në vjeshtë dhe Gjykata e Lartë do të vijojë të funksionojë me 10 anëtarë, një kuorum i pamjaftueshëm ky për të marrë vendime të rëndësishme, duke pasur parasysh se për funksionimin normal të kësaj gjykate, duhen minimalisht 13 anëtarë të Gjykatës së Lartë, nga 17 që ka gjithsej. Kjo gjykatë, tashmë, është edhe pa kryetar, pas mbarimit të mandatit të Thimio Kondit.

Rezultati i votimit të dekretit për:

Anëtaren e Gjykatës së Lartë      

Altina Xhoxhaj

Pro   Kundër       Abstenim    Të pavlefshme

  56        73                1

Anëtarin e Gjykatës së Lartë

Artan Zeneli

Pro     Kundër      Abstenim      Të pavlefshme

56       71                     2                       1

Anëtarin e Gjykatës së Lartë

Kristaq Traja

Pro          Kundër          Abstenim      Të pavlefshme

52                76                 1                      1

Anëtarin e Gjykatës së Lartë

Medi Bici

Pro           Kundër           Abstenim      Të pavlefshme

40                86                    4

Anëtarin e Gjykatës së Lartë

Zamir Poda

Pro             Kundër          Abstenim          Të pavlefshme

65                 62                      1                         2

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›