Thaçi: Rrugë me Shqipërinë por jo ndryshim kufijsh
Ne jemi zotuar për mos ndryshim të kufijve, por po ndërtojmë rrugë integruese që bashkojnë Prishtinën me Tiranën më afër se kurrë. Kështu është shprehur sot kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë vizitës miqësore në Shqipëri. Në fjalën e mbajtur para kuvendit Shqiptar ai është shprehur se Shqipëria dhe Kosova po ndërtojnë rrugë bashkëpunimi në të gjitha fushat dhe në liberalizimin e doganave, por nuk do të bëhet asgjë për ndryshimin e kufijve. “Si Kosova dhe Shqipëria kemi një qëllim të përbashkët, integrimin në një çati të përbashkët, NATO dhe BE dhe eliminimin e barrierave kufitare. Ne kemi një kulturë megjithëse jemi shtete me identitete të pavarura” – tha Thaçi.
Gjithashtu ai tha se Kosova është njohur tashmë nga 42 shtete dhe se shtete të tjera pritet të bëjnë njohjen e këtij shteti të ri. Gjithashtu ai shpreson edhe në njohjen nga Serbia në një të ardhme të afërt. “Me Serbinë po përpiqemi të ndërtojmë marrëdhënie ndërshtetërore që janë të domosdoshme për paqen dhe stabilitetin rajonal” – tha Thaçi. Ndërkohë i pyetur nga gazetarët lidhur me prezencën në Kosovë të NATO-s dhe UNMIK-ut Thaçi është shprehur se: “Është një prezencë këshilluese për institucionet kosovare dhe këto instanca i janë dashur dhe i duhen ende Kosovës. Ata jën të ftuar dhe të mirëpritur nga Kosova. Ndihem mirë me prezencën e ndërkombëtareve dhe ata do të na ndihmojnë për integrimin në NATO dhe instancat euroatlantike.