Dekreti i Topit: Bojkoti i opozitës rrëzon kandidaturën e Manjola Bejlerit
17/06/2011 LSI, PDIU dhe PR pro propozimit të Presidentit. Oketa thyen vendimin e grupit të PD-së
Bojkoti i opozitës në seancën e djeshme plenare është bërë shkak i rrëzimit të kandidaturës së Manjola Bejlerit, propozuar nga Presidenti për vendet vakante në Gjykatën e Lartë. Duke u nisur nga votimi i djeshëm, në rast se 66 deputetët e opozitës do të ishin prezentë në votimin e Bejlerit, bashkë me 4 votat pro saj të LSI-së, kjo e fundit mund të ishte emëruar gjykatëse në Gjykatën e Lartë. Ndërkohë, ashtu siç ishte paralajmëruar dy ditë më parë në Komisionin e Ligjeve, deputetët e Partisë Demokratike u shprehën në unison për rrëzimin e dekretit të Presidentit të Republikës. Nga ana tjetër, në mungesë të opozitës, Kuvendi miratoi me 72 vota “pro” dy dekretet e tjera të kreut të shtetit për kandidaturën e Edmond Islamajt e Shkëlzen Selimit për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë.
Votimi kundër Bejlerit
Dekreti i Presidentit Topi u rrëzua dje nga deputetët e pranishëm me 64 vota “kundër”, 4 vota “abstenim” dhe 4 vota ishin “pro” propozimit të Manjola Bejlerit si gjyqtare në Gjykatën e Lartë. Vlen të theksohet se tri nga partitë e koalicionit të djathtë dolën nga qëndrimi i partisë më të madhe të këtij grupimi, Partisë Demokratike. Kështu, pro Bejlerit votuan katër deputetët e LSI-së në Kuvend - Ilir Meta, Nasip Naço, Vangjel Tavo dhe Lefter Koka. Abstenuan për këtë përzgjedhje të kreut të shtetit 4 nga deputetët e mazhorancës: demokrati Gazmend Oketa, i cili theu vendimin e grupit të PD-së, si dhe aleatët Mediu, Tahiri dhe Idrizi.
Bojkoti i opozitës
Deputetët e grupit parlamentar të PS-së dhe të PBDNJ-së munguan sërish në seancën e djeshme plenare, duke vijuar kështu qëndrimin bojkotues ndaj Kuvendit që nga data 2 qershor, kur Kuvendi rinisi seancat plenare, të ndërprera për shkak të zgjedhjeve lokale të 8 majit. Bojkoti i opozitës lidhet me qëndrimin e saj kontestues ndaj vendimeve të KQZ-së për rezultatin e Bashkisë së Tiranës. Prej disa seancash vazhdon ta thyejë bojkotin deputeti Kastriot Islami dhe Andis Harasani. Ky i fundit nuk ishte i pranishëm, ndërsa Islami nuk mori pjesë në votimin e dekreteve të Presidentit, të votimit të propozimit të Këshillit të Ministrave të Alfred Prifti në vendin vakant në Komisionin e Shërbimit Civil dhe të projektligjit për inspektimet në Republikën e Shqipërisë.
Beja: BE do të reagojë për skandalin
Para fillimit të seancës së djeshme plenare deputeti demokrat Fatos Beja, kryetar i delegacionit shqiptar në Parlamentin Europian, komentoi skandalin e flamurit tonë zyrtar, i cili në sytë e Brukselit është ai i komunizmit. “Kjo është çështje e administratës së Parlamentit Europian, që ka përdorur atë flamur. Unë për vete këtu e mësova në Shqipëri. Gjithsesi, ishte një lajm që as shqiptarët dhe as ndërkombëtarët nuk kishin vajtur atje për atë punë. Sigurisht që është një gjë e rëndë për imazhin tonë, por shpresoj se do të ketë një reagim zyrtar të Brukselit në lidhje me këtë çështje”, - u shpreh Beja.
Islami: Bojkoti është vendim i padrejtë
Pak para se të niste seanca e djeshme plenare deputeti socialist Kastriot Islami në një prononcim për gazetarët u shpreh se prezenca e tij në Kuvend është përgjigjja e mesazhit që Brukseli përcolli për opozitën për të ndërprerë bojkotin e Kuvendit. Islami shkoi dhe më tej duke e quajtur prezencën e tij “një mënyrë simbolike për të thyer një vendim të padrejtë të PS-së”. Sa u përket deklaratave të Brukselit pas takimit me delegacioni shqiptar, Islami theksoi se “u dhanë mesazhe shumë të qarta për ndërprerjen e bojkotit dhe vendosjen e një bashkëveprimi dhe negocimi mes forcave politike, sidomos në funksion të integrimit në BE”.