E Diel, 1 Nëntor 2026

Dekretimi i ministrave, Braçe: Presidenti po hyn në një rrugë antikushtetuese

TIRANE – Deputeti socialist Erion Braçe sulmon Presidentin e Republikës, Bujar Nishani në lidhje me deklaratën e tij se për dekretimin e ministrave të kabinetit të ri qeveritar do të marrë fillimisht informacione nga SHISH. Përmes faqes së tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Braçe deklaron se “Presidenti i Republikës po hyn në një rrugë pa krye; antikushtetuese dhe tërësisht politike!!”

“Deklarata e tij se: "Kryeministrin do ta dekretojë menjëherë por për ministrat do të pyesë SHISH", është një dalje me vetëdije nga korniza kushtetuese e këtij vendi. Në Kushtetutë nuk parashihet në asnjë nën e gërme ky veprim i tij. Aty në Kushtetutë thuhen qartë dy gjëra: E para; Cdo individ prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjykate të formës së prerë. Presidenti i Republikës ka thënë se do ti drejtohet SHISH!!! Jo një gjykate për të verifikuar nëse ndonjë prej ministrave është dënuar apo jo për vepra penale të rënda, krim i organizuar, trafik, korrupsion apo vrasje. Atëherë gjithçka që thotë nga kjo pikëpamje është antikushtetuese. Në dijeninë time, asnjë nga ministrat e shpallur në emër të mazhorancës, nuk rezulton të jetë dënuar ndonjëherë për këto vepra. E dyta; Hetimi penal në Republikën e Shqipërisë është atribut i Prokurorisë së Republikës. Presidenti ka thënë se do ti drejtohet SHIK!! Jo një prokurorie për të verifikuar nëse ndonjë prej ministrave është nën ndonjë akuzë për vepra të rënda penale, krim i organizuar, trafik, korrupsion apo vrasje. Atëherë gjithçka që thotë nga kjo pikëpamje, për herë të dytë, është antikushtetuese. Në dijeninë time, asnjë nga ministrat e shpallur në emër të maxhorancës, nuk rezulton të jetë nën ndonjë akuzë për këto vepra e për të cilat, me anë të funksionin që do të marrë do të pengojë hetimin.”- shkruan Braçe në “Facebook”.

Sipas Braçes, “paralajmërimi i Presidentit Nishani janë një agresion i ri ndaj mazhorancës së re të krijuar nga vota e 1 milion shqiptarëve; antikushtetues, antiligjor dhe me qëllime të mirëfillta politike! Presidenti i Republikës duhet të kuptojë njëherë e mirë se më 23 qershor shqiptarët munden dhe atë! Ai ka qenë pjesë e kësaj qeverie që po ikën dhe në Presidencë u soll njësoj si një ministër plotësues i saj!”

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›