Del Bosque voton Guardiolën, jo Mourinhon
Guardiola braktisi postin e tij në krye të Barcelonës pas përfundimit të stinorit 2011-12 në mënyrë që të pushojë nga futbolli. Pavarësisht kësaj, Del Bosque mendon se 41 vjeçari e meriton nominimin e tij për punën e madhe që bëri në Nou Camp ku rrëmbeu 14 tituj në katër vite.
“Kam vendosur të votoj Guardiolën sepse është spanjoll dhe për gjithë atë që ka bërë. Ai ka fituar tre tituj këtë vit. Kur përzgjedh një trajner, kërkoj vlera sportive si dhe sjelljen e mirë të tij”, deklaroi ai. 61 vjeçari po ashtu ka përmendur Roberto di Matteon dhe selektorin e Italisë, Cesare Prandelli si dy strategët e tjerë që do të marrin votën e tij.
“Di Matteo arriti shumë me Chelsean edhe pse mori ekipin në gjysmë sezoni. Kurse Prandelli udhëhoqi Italinë drejt finales në Euro 2012. Nuk kam asgjë kundër Real Madridit ose Jose Mourinhos. Askush nuk duhet të më tregoj mua se çka është Madridizmi sepse e di shumë mirë”, përfundoi Del Bosque.