E Shtunë, 31 Tetor 2026

Del Ponte gënjen"

Sipas organit qendror të akuzës shqiptare, në librin e kryeprokurores së Hagës janë renditur të njëjtat dyshime për të cilat u hetua në 2004 dhe nuk u provuan

TIRANË - Vetëm pak ditë pasi Organizatat Ndërkombëtare së të Drejtave të Njeriut i kërkuan qeverisë shqiptare dhe asaj kosovare të merrnin në konsideratë akuzat e ngritura nga ish-kryeprokurorja e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për krimet e luftës, Karla del Ponte, reagon edhe Prokuroria e Përgjithshme. Në një njoftim për shtyp, organi qendror i akuzës thotë se nga shqyrtimi i informacionit të publikuar në librin e Del Pontes “Gjuetia. Unë dhe kriminelët e luftës”, për ngjarjet që sipas saj kanë ndodhur në zonën e Burrelit gjatë vitit 1999, është bërë një verifikim në vitin 2004, ku nuk ka dalë asgjë e vërtetë. Sipas zyrës së shtypit në Prokurorinë e Përgjithshme, bëhet me dije se për këtë çështje kanë ardhur në Shqipëri në shkurt të vitit 2004 një grup hetuesish nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Ky grup hetuesish në bashkëpunim me prokurorë të rrethit të Matit kanë zhvilluar një proces inspektimi dhe verifikimi në disa ambiente në zonën e Burrelit. “Në përfundim të këtij procesi, hetuesit e Hagës së bashku me prokurorët e Matit arritën në konkluzionin se të dhënat që posedonin hetuesit e Hagës për atë që pretendohej se kishte ndodhur në Burrel, nuk rezultuan të vërteta”, - tha dje zyra e shtypit në Prokurorinë e Përgjithshme. Duke iu referuar rihapjes së çështjes nga libri i ish-kryeprokurores së Hagës dhe debatit ndërkombëtar që ka shkaktuar ky libër, prokuroria u është rikthyer edhe një herë të dhënave të nxjerra nga inspektimi i vitit 2004. Burime zyrtare thanë se “duke krahasuar të dhënat e asaj kohe me ato çfarë shkruan Karla del Ponte sot në librin e saj, konstatojmë se kemi të bëjmë me të njëjtët elemente që pretendoheshin në vitin 2004, por Prokurorisë Shqiptare nuk i rezulton asnjë e dhënë e re, për të cilat do të ishte e nevojshme të kryhej një proces i ri verifikimi apo investigimi”. Prokuroria e Përgjithshme gjithashtu shpreh angazhimin dhe gatishmërinë se, në rast se “Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi mendon se duhet të vazhdojë investigimet në këtë drejtim, Prokuroria Shqiptare është e gatshme për bashkëpunim me këtë gjykatë, ose duke asistuar në rast se hetuesit e saj vijnë vetë për hetime në Shqipëri, ose duke mirëpritur të dhëna shtesë që do t’i jepnin shkas Prokurorisë Shqiptare për të filluar hetime për këtë çështje, në bazë të legjislacionit në fuqi”, - përfundon njoftimi i zyrës së shtypit të Prokurorisë së Përgjithshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›