E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pinari hedh ne gjyq Prokurorine

Ish-drejtori i Meico-s nëpërmjet avokatit të tij çoi në gjykatë një kërkesëpadi për vleftësimin e sekuestros

TIRANË - Ylli Pinari, ish-drejtori i ndërmarrjes “Meico”, i arrestuar si një nga përgjegjësit kryesorë për tragjedinë e Gërdecit, nuk është dakord me vendimin e prokurorisë, e cila ka sekuestruar zyrën e tij në Ministrinë e Mbrojtjes dhe gjithë arkivin e ndërmarrjes. Për të kundërshtuar këtë vendim, Pinari nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës, Ardian Lekës, depozitoi në Gjykatën e Tiranës një kërkesëpadi me objekt “vleftësim i sekuestros”. Kërkesëpadia iu nënshtrua dje shortit elektronik, i cili përzgjodhi Petrit Çomon, si gjyqtarin që do të gjykojë kërkesëpadinë e Pinarit. I pyetur për këtë çështje, avokati mbrojtës i Ylli Pinarit refuzoi të bëjë komente rreth kërkesës, duke thënë se ajo është depozituar në gjykatë. Burime pranë Gjykatës së Tiranës thanë dje për “Korrierin”, se kërkesëpadia me objekt “vleftësim i sekuestros” i referohet kontrollit që prokurorët e grupit hetimor të çështjes “Gërdeci” kanë ushtruar në zyrën e Ylli Pinarit. Nga kontrolli është sekuestruar zyra e ish-drejtorit të ndërmarrjes “Meico” dhe arkivi i saj, ku janë të gjitha kontratat dhe praktikat ligjore që janë ndjekur për import-eksportin e materialeve ushtarake. Në kërkesëpadi, sipas burimeve, nuk specifikoheshin sendet që sipas Pinarit janë sekuestruar pa të drejtë nga prokuroria, por kërkohej vetëm shfuqizimi i dy vendimeve të prokurorisë, që kanë të bëjnë me masën e sekuestros paraprake për materialet e gjetura në zyrën e ish-drejtorit dhe arkivin e ndërmarrjes. Kontrolli në zyrën e Pinarit, sipas prokurorisë, është ushtruar më datë 29 mars, menjëherë pasi gjykata dha vendimin “për kontroll ambienti”, me numër akti 628, datë 29 mars 2008. Në këtë vendim thuhet se “veç të tjerash, ndërmarrja “Meico” përgjigjej edhe për zbatimin nga kontraktori të procedurave standarde të sigurisë, të masave të mbrojtjes nga zjarri dhe sigurisë së jetës dhe shëndetit të personelit të projektit gjatë procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve, në kushte të rrepta vëzhgimi e sigurie”. Sipas arsyetimit të gjykatës, e cila i referohet kërkesës së prokurorisë, “nga hetimet e deritanishme ka arsye të bazuara, për të menduar se në ambientet e zyrës drejtorit të ndërmarrjes “Meico”-s, nga ana e personit nën hetim, shtetasit Ylli Pinari, mund të jenë fshehur prova materiale të veprës penale, për të cilën ai dyshohet”. Pasi mori vendimin e gjykatës, prokurori i çështjes së bashku me oficerët e Policisë Gjyqësore ushtruan kontroll në zyrën e Pinarit, duke sekuestruar të gjithë materialet, që sipas tyre kanë lidhje me çështjen “Gërdeci”. Së bashku me materialet e drejtorit, prokuroria sekuestroi dhe gjithë arkivin e “Meico”-s, nga ku pritet të dalin të dhëna në ndihmë të hetimit. Por kjo praktikë e organit të akuzës është kundërshtuar nga Ylli Pinari, i cili i kërkon gjykatës shfuqizimin e vendimeve të Prokurorisë. Çështja pritet të hapet në ditët në vazhdim, nën gjykimin e gjyqtarit Petrit Çomo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›